Zhbogar i dorëzoi Presidentes Raportin e Progresit
Presidentja Jahjaga mori raportin e Progresit nga Shefi i BE’së në Kosovë. Presidentja përshëndeti edhe vendimin e KE’së për të lansuar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën më 28 tetor.

Lajme
Presidentja Atifete Jahjaga pranoi sot nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, Raportin e Progresit 2013 për Kosovën, të përpiluar nga Komisioni Evropian.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se ky raport detajon përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës dhe vlerëson reformat që vendi ynë i ka ndërmarrë karshi anëtarësimit në BE.
Shefi i Zyrës së BE’së, Samuel Zhbogar e ka cilësuar raportin mbi përparimin e Kosovës si shumë të mirë, duke e vlerësuar atë si një përmbledhje të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe një udhërrëfyes për thellimin e reformave.
“Raporti i Progresit vlerësoi pozitivisht punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Europian që udhëhiqet nga Presidentja në ndërtimin e konsensusit kombëtar”.
Presidentja Atifete Jahjaga e ka mirëpritur raportin e Komisionit Europian për Kosovë, duke vlerësuar se është e kënaqur me të arriturat e këtij viti në kuadër të agjendës evropiane, dhe u përkushtua që prioritetet e identifikuara në raport do të adresohen me seriozitet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj.
“Ndihma e Bashkimit Europian në procesin e reformave, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, është e nevojshme dhe e domosdoshme”.
Presidentja Jahjaga po ashtu përshëndeti vendimin e Komisionit Europian për të lansuar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën më 28 tetor, të cilat synohet të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.