Zhbogar: BE është gati për Gjykatën Speciale

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale për krime luftë, është në interes të Kosovës.

Lajme

09/06/2015 15:54

I pyetur se çfarë skenari do të ndjeket në rast se dështon formimi i kësaj gjykate në Kuvendin e Kosovës, Zhbogar ka thënë se nuk dëshiron të spekuloj lidhur me këtë.

Gjatë një qëndrimi në Zubin Potok, ai u ka thënë gazetarëve se e kupton se sa të vështirë e ka Kuvendi i Kosovës të merr një vendim të tillë, por ka thënë se tash është koha e duhur që të votohen këto amendamente kushtetuese.

Shefi i BE-së në Kosovë ka kundërshtuar disa nga deputetët e pozitës, të cilët mos dërgimin e këtyre amendamenteve për votim, e arsyetuan me moskompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Zhbogar tha se sa i përket BE-së, çdo gjë është gati për votim në Kuvend.

“Sa na përket neve, çdo gjë është e gatshme për votim, ndryshimet kushtetuese tashme janë diskutuar në komisionin për legjislacion dhe ligji është gati. Ne e kuptojmë se ky nuk është një vendim i lehtë për Kuvendin e Kosovës dhe nevojitet kohë që njerëzit të mendojnë dhe më pas të vendosin. Ky është shpjegimi ynë për kohën që mund të marr ky ligj”, ka thënë Zhbogar, raporton lajmi.net.

Mirëpo, përkundër gjithë kësaj, Zhbogar ka thënë se do të vijë koha që ajo të themelohet dhe, sipas tij, koha më e duhur është tani, që të hiqet njolla e zezë të cilën Kosova e mbartë nga raporti i Dick Marty-t.