“Zhbërja e Speciales fuqizon UNMIK-un, raportet me ndërkombëtarët janë zbehur”

Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale erdhi prej presidentit Hashim Thaçi, thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Lajme

09/01/2018 12:37

Krejt kjo sipas tij, erdhi si rezultat i frikës se udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë të akuzuar potencial.

“Në fakt të them kjo duhet të jetë një çështje politike, në rend të parë personale iniciativa besoj që ka rrjedh prej presidentit Thaçi, sepse ka muaj më parë që në disa fjalime publike që i ka pas ka ndërrua qëndrim sa i përket Gjykatës Speciale, pastaj mbledhja e nënshkrimeve nga ana e veteranëve për të ndryshuar Gjykatën Speciale, respektivisht për të zgjeruar juridiksionin e gjykatës Speciale e në momentin e fundit edhe teksti i peticionit ka ndryshuar, pra që të zhbëhet kjo gjykatë”.

“Mendoj që i frikësohen, sigurisht disa zyrtarë të lartë të ish UÇK-së do të jenë të akuzuar, komandantë dhe kjo rezistencë e disa bartëseve të institucioneve ndaj gjykatës speciale është lind me frikën se do të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale”, tha ai.

Zhbërja e Speciales mund të fuqizonte rolin e UNMIK-ut në Kosovë paralajmëron ai, duke shtuar se rezoluta 1244 është ende në fuqi.

Kurse sa i përket krijimit të një gjykate nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), Blakaj thotë se kjo do të ishte e padiskutueshme nëse shfuqizohet Specialja.

“Çështja është e tillë që ende rezoluta 1244 është në fuqi, asnjëherë ajo nuk është shfuqizuar dhe me këtë rezolutë 1244 mandatin kryesor për ligj në Kosovë e ka UNMIK-u, pra shumë lehtë mund të ndodhë që të fuqizohet UNMIK-u në Kosovë që ne prapë të shohim një prezencë të madhe të UNMIK-ut. Do të ishte shumë e mundshme që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) të krijojë një gjykatë tjetër, mirëpo edhe pa krijimin e kësaj gjykate nga Kombet e Bashkuara situata në Kosovë do të ishte jashtëzakonisht më e keqe se sa është sot, do të kishim këtë prezencë të UNMIK-ut edhe nuk e di se sa organet e Kosovës do të mund të kontribuonin në zhvillimin  e Kosovës”, u shpreh Blakaj.

Gjithë kjo situatë ka bërë që bashkësia ndërkombëtare të shpreh kategorike rreth mundësisë së shuarjes së gjykatës.

Por edhe nëse gjykata fillon punën sic është parashikuar me vendet perëndimore janë prishur raportet.

“Raportet me perëndimin janë prish edhe në këtë moment edhe nëse nuk do të zhbëhet gjykata, sepse dje kemi pas rastin të dëgjojmë edhe nga Qeveria e Kosovës edhe një tekst që e ka shkruar krye parlamentari, është e qartë që Gjykata sipas të gjitha gjasave nuk do të shfuqizohet, mirëpo kanë mbetur raportet e këqija mes bartëseve të institucioneve të Kosovës dhe në rend të parë ambasadave të huaja asaj britanike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Ai pohoi se nëse Gjykata speciale do të shfuqizohej, atëherë Kosovë nuk do të mund të kërkonte gjykim për krime lufte as nga Serbia dhe Bashkimi Evropian.

“Mendoj që me këtë akt nëse gjykata speciale eventualisht do të shfuqizohej do të tregohej një papjekuri politike e bartëseve të institucioneve në Kosovë do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme në rend të parë për drejtësinë, sepse shumë viktima kanë pritje të mëdha nga kjo gjykatë po nga ana tjetër do të minohej krejt procesi i ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, pra nuk mund të presim pastaj nëse shfuqizohet kjo gjykatë që cilado gjykatë tjetër do të gjykojë dikë për krime lufte, nuk mund t’i bëjmë thirrje pastaj as Serbisë pastaj as Bashkimit Evropian që të gjykojë kryerësit e krimeve nga pala serbe pra gjithçka do të rrënohej, prandaj është shumë e rëndësishme që kjo gjykatë mos të zhbëhet tani”.

Ndërsa sa i përket fillimit të punës së Gjykatës Speciale ai tha se në pranverë mund të presim aktakuzat e para, ngase fillimi i punës zvarritur shumë.

“Fillimi i punës së gjykatës speciale është zvarrit jashtëzakonisht shumë, mirëpo sipas gjitha gjasave kjo pranverë, këtë pranverë të vitit 2018 mund të presim aktakuzat e para, së paku kështu janë paralajmërimet”.

Përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e dërguan Kosovën në një situatë e cila nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët.

43 deputetë kërkuar shfuqizimin e ligjit në minutat e fundit të seancës për Buxhetin më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Pas dështimit të mbajtjes së Kryesisë së Kuvendit Ambasadorët e Britanisë dhe ShBA-së thanë se kjo është thikë pas shpine dhe se Kosova po kalon kohën më të vështirë që nga paslufta.