Zgjidhje për gratë në zgjedhje

Përfaqësuesit e politikës dhe të shoqërisë civile pajtohen se partitë nuk u ofrojnë grave kosovare mundësi për t'u përfshirë në vendimmarrje. Sipas tyre, politika vlerësohet - “Fushë e Burrave”.

Lajme

18/10/2013 16:00

Fushatat zgjedhore zgjojnë interesim për diskutimin e aspekteve të veçanta të jetës politike në Kosovë. Njëra prej këtyre temave është pjesëmarrja e grave në politikë.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka organizuar konferencën “Gratë dhe Zgjedhjet në Kosovë”, për t’i prezantuar rezultatet e dy projekteve: hulumtimit “Si votojnë gratë?” dhe monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore, nga perspektiva gjinore.

Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Vuniqi, ka thënë se qëllimi i kësaj konference është në rritjen e vetëdijes së votuesve për rolin e grave në procesin zgjedhor.

“Hulumtimet e këtilla shërbejnë që të kuptohen sa më saktë nevojat dhe kërkesat e grave votuese, por edhe të grave që janë kandidate në listat zgjedhore”.

Sibel Halimi dhe Luljeta Demolli, menaxhere të projekteve në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, kanë bërë prezantimin e rezultateve të hulumtimeve.

Në pjesën e debatit, përfaqësueset politike dhe ato të shoqërisë civile kanë diskutuar për pozitën e grave në politikë.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka thënë se kuota gjinore ka mundësuar që tek gratë të rritet vetëbesimi për të qenë pjesëmarrëse në politikë, por ka kritikuar partitë që nuk po bëjnë sa duhet për të siguruar përfaqësim të drejtë gjinor në çështjet ku nuk është vendosur kjo kuotë.

“Kuota mbetet një mekanizëm përmes së cilit duhet krijuar mundësi, duhet hapur derën për gratë në politikë. Kuota është një mekanizëm për përfaqësim, por assesi ky përfaqësim nuk ka ofruar fuqizim në pozicione vendimmarrëse”.

“Barazi absolute nuk ka, mirëpo ka mundësi të barabarta. Krijimi i një hapësire për mundësi të barabarta për gratë edhe për burrat kërkon ende shumë punë”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka folur edhe për partinë e saj që nuk ka asnjë kandidate femër për kryetare komune, duke dhënë një shpjegim interesant.

“Në rast se PDK’ja do të kishte pasur kandidate për kryetare komune, ato sigurisht do të kishin qenë në një vend ku gjasat për fitore do të ishin minimale”.

“Sigurisht, gratë në ato vende kanë integritet dhe nuk kanë pranuar të hyjnë në ‘lojë’. Fatkeqësisht, ende ka nevojë për shumë punë në fuqizimin e pozitës së gruas”.

Deputetja e LDK’së, Teuta Sahatqija, është shprehur e shqetësuar për gjendjen e përgjithshme, por e ka potencuar fjalinë: “Gratë nuk votojnë për gratë”.

“Në shumë organizime kam hasur në fjalinë e njëjtë: ‘Gratë nuk votojnë për gratë’. Këtë fjali e thonë vetë gratë – me një fytyrë plot dëshpërim. Kjo është një fjali jo e plotë, është një fjali e rrezikshme, defetiste, fjali e cila nuk analizohet më thellë dhe, në fakt, të humb shpresën, të mbyll derën që të shpresosh për diçka më të mirë”.

“Jo vetëm në Kosovë, por dhe në vende të tjera, politika konsiderohet si fushë e burrave. Rol të rëndësishëm në këtë konstatim ka vetëbesimi i grave se edhe ato mund të jenë pjesë e politikës”.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, ka thënë se në Kosovë gruaja akoma nuk vendos vetë se për kënd do të votojë.

“Gratë votojnë për kandidatin që e përcaktojnë burrat në familjen e tyre. Kultura dhe tradita tek ne ende është në atë nivel ku gjinia mashkullore ka dominancën në familje në përcaktimin e shumë elementeve, përfshirë edhe atë të votës”.