Zgjidhini mirë fjalët! Pyetja që s’duhet t’ia bëni më kurrë një fëmije
Lira Gjika flet në lidhje me pyetjen që nxit shumë stres tek fëmijët.
Lifestyle
Postimi i pediatres Lira Gjika:
“Shkon mirë me mësime ti?”, “He si je ti, nxënës i mirë?” Me këto shprehje i drejtohej një zonjë një djali gjashtëvjeçar, i cili e shikonte me frikë dhe habi këtë zonjë, që nuk e përfillte as mamin dhe as nënën, që heshtnin me buzëqeshje ironike.
Dhe nuk mjaftonte heshtja e tyre, gjyshja lëvizi me trup në formë përçmuese ndaj djalit duke i kthyer kurrizin atij.
Këto skena, ku fëmijët ndodhen vetëm përballë njerzish të panjohur, të cilët i kërkojnë “hesap” edhe pse prindërit janë present, janë skena të zakonshme në rrugët tona.
Nuk e di pse e lejojmë tjetrin të na marrë në pyetje fëmijën dhe ne të rriturit pranë fëmijës, jo vetëm që heshtim, por edhe bëhemi palë me atë tjetrin e “tmerrshëm” dhe jo me fëmijën.
Kjo sjellje prepotente dhe paedukatë e të rriturve duhet të lihet “jashtë përdorimit” me fëmijët, pasi është e dëmshme. Ne të rriturit duhet të mendohemi para se të flasim dhe ti zgjedhim mire fjalët dhe sidomos pyetjet dhe lëvizjet përçmuese, ndaj fëmijës.
Prindërit nuk duhet të rrijnë pasiv në raste të tilla, por të ndërhyjnë duke e lavdëruar fëmijën dhe jo t’a lejojnë tjetrin, kushdo qoftë, të bëjë fëmijën të ndihet i vetëm dhe i përçmuar.
E ardhmja është përgjegjësi e të rriturit. Çfarë modeli dhe etike do të përdorë dhe ofrojë ai, i rrituri fëmijës, ashtu do të jetë fëmija i rritur nesër”. /Lajmi.net/