Zgjedhjet 2015, Basha shmang Berishën

Lideri demokrat pritet të jetë i vetëm në podiume gjatë zgjedhjeve lokale. “Rivalët” e Bashës, Bode, Ruli, Pollo, nuk do të jenë pjesë e fushatës pasi janë të përfolur për afera gjatë kohës së qeverisjes së Berishës.  

Lajme

20/08/2014 19:58

Fushata e PD-së në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vitin 2015 do të udhëhiqet vetëm nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në podiumet e PD-së nuk do të kemi shansin të shohim figura të tjera të rëndësishme si ish-kryeministri Sali Berisha, gruan e hekurt të PD-së Jozefina Topalli, ekonomistin Ridvan Bode etj. Të gjithë pritet të penalizohen që të mos bëjnë fushatë për Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky mësohet se është urdhri që ka nxjerrë kryedemokrati Basha. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se gjatë ditëve të fundit, krahas rinovimit të ndërtesës së SHQUP-it, dhe rinovimit të figurave të vjetra me të rinj, Basha ka nisur të përgatisë edhe mënyrën se si do të prezantohet PD-ja në fushatën e zgjedhjeve lokale dhe një nga risitë është edhe mënjanimi i figurave të tjera në podiume. Pas mbledhjes mes kryetarëve të degëve dhe dhënies së direktivave, lideri demokrat me njerëzit e tij kanë gjetur formulën. Basha do të drejtojë fushatën e PD-së i vetëm përballë qytetarëve, shkruan gazeta Shekulli.

Programi do të prezantohet i gjithi nga Basha dhe do të fokusohet tërësisht tek ai. Pas dhënies së detyrave në selinë e SHQUP-it për të gjithë krerët e rretheve, burime të PD-së bëjnë të ditur se kreu i saj, në listën e porosive krahas ringritjes së grupeve të punës në çdo zonë në Shqipëri, ka urdhëruar kryetarët e degëve të rretheve që fushata e zgjedhjeve lokale të mos përfaqësohet nga asnjë figurë e PD-së, por vetëm nëpërmjet tij dhe atyre vetë. Burime pranë sekretariatit të PD-së bëjnë me dije se kreu Basha do të drejtojë fillikat, duke përjashtuar nga e drejta për të bërë fushatë edhe ish-ministrat e Berishës, që hyjnë te figurat e dashura për të.

Basha kërkon t’i marrë socialistëve pjesën më të madhe të bashkive, të cilat janë fituar në zgjedhjet e fundit lokale nga të majtët dhe këtë gjë mundohet ta bëjë duke përdorur karizmën e tij. Ndërkohë mësohet se modeli i zgjedhur nga Basha për të përqendruar fushatën tek figura e tij, i është sugjeruar nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili pasi ka analizuar situatën në parti, ka arritur në përfundimin se ish-ministrat e tij janë të konsumuar dhe do t’i bënin dëm PD-së në zgjedhjet lokale.

Burimet thanë se arsyeja është se figurat si Bode, Ruli, Pollo janë të përfolur për afera gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, prandaj Berisha e ka këshilluar Bashën që të vërë në jetë fushatën e përqendruar te lideri. Mësohet se edhe vetë Berisha nuk do të reklamohet gjatë fushatës, por do e ndjekë me kuriozitet nga zyra e tij. Risku që kanë marrë përsipër Basha-Berisha, duke identifikuar humbjen ose fitoren me veten, është një test i rëndësishëm për dyshen, shkruan pos tjerash Shekulli.