Zgjedhjet serbe “cenuan” sovranitetin
LDK dhe AAK vlerësojnë se me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë brenda territorit të Kosovës është shkelur sovraniteti i vendit. Ndërsa PDK vlerëson se është respektuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201403/full/zgjedhjet.jpg)
Lajme
Opozita kosovare vlerëson se të dielën është shkelur sovraniteti i vendit, për shkak se janë lejuar që brenda territorit të Republikës së Kosovës të mbahen zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri thotë se Qeveria është treguar e papërgjegjshme.
Ai thotë se me përdorimin e termit “grumbullim i votave”, Qeveria ka tentuar që të shmang përgjegjësinë dhe të fsheh të vërtetën karshi qytetarëve.
“Ne si LDK konsiderojmë që me zgjedhjet e së dielës është shkelur sovraniteti i vendit, dhe se Qeveria e Kosovës është treguar shumë e papërgjegjshme”.
“E kemi të qartë se nuk janë në gjendje që të veprojnë ashtu siç duhet, por edhe në deklarime kanë qenë të papërgjegjshëm. Ju e dini që vazhdimisht e kanë ndërruar qëndrimin derisa në fund kanë ardhur me formulim shumë interesant, e ky është ‘grumbullimi i votave’”.
“Kjo nuk ka asnjë kuptim dhe është tentim i shmangies së përgjegjësisë së tyre, ose edhe i mosveprimit të tyre, ose edhe i tregimit të vërtetës qytetarëve se kanë marr obligime të tilla diku, dhe ne nuk e kemi ditur”.
Edhe AAK’ja e konsideron si shkelje të sovranitetit mbajtjen e zgjedhje serbe. Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi tha se sjellja e Qeverisë ka qenë e papërgjegjshme.
“Është e vërtetë që është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve në territorin e Kosovës, nga ana e shtetit serb. Prandaj, për këtë ka përgjegjësi Qeveria e Kosovës. Kjo mënyrë e sjelljes së Qeverisë është jo e përgjegjshme dhe është vërtet shkelje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Andaj ne do ta shqyrtojmë këtë çështje si grup parlamentar dhe si parti politike, dhe do të kemi një qëndrim më të drejtpërdrejtë”.
Por krejt ndryshe nga opozita mendon shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci. Ai tha se të dielën nuk është shkelur sovraniteti, pasi sipas tij, është respektuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
“Asnjëherë, sepse atëherë kur respektohet Kushtetuta e Kosovës, nuk lejon cenimin e sovranitetit të Kosovës. Dhe ne kemi respektuar dhe veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.
Grabovci u shpreh se nuk është i zhgënjyer nga kryeministri Hashim Thaçi sepse sipas tij, ai deri më tani, me atë që ka thënë, ka respektuar Kushtetutën e vendit.
“Asnjëherë nuk na ka zhgënjyer kryeministri Thaçi dhe jam shumë i sigurt se asnjëherë nuk do t’i zhgënjejë qytetarët e Kosovës. Të gjithë ato që i ka thënë deri më sot kryeministri Thaçi, i ka respektuar, dhe ajo që është më e rëndësishmja, ai e ka respektuar dhe po e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.