Zgjedhjet ‘ruhen’ nga 5 mijë policë
Policia e Kosovës ka angazhuar sot 5 mijë e 100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor.
Lajme
Për të mos lejuar prishjen e imazhit të mirë të procesit zgjedhor të 3 nëntorit dhe për të siguruar një mbarvajtje normale të procesit të sotëm zgjedhor, mekanizmat e sigurisë në vend, kanë marrë masa shtesë të sigurisë.
Kështu Policia e Kosovës ka angazhuar sot 5 mijë e 100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani i ka thënë RTK1 se plani operacional parasheh krijimin e kushteve normale gjatë gjithë procesit.
Krahas policisë së Kosovës, në pjesën Veriore të Kosovës janë angazhuar edhe pjesëtarët e EULEX’it dhe KFOR’it për të siguruar mbarvajtjen e këtij procesi dhe për të mos lejuar përsëritjen e incidenteve të dhunshme si ai i 3 nëntorit në Shkollën “Sventi Sava” në Mitrovicën Veriore kur persona të maskuara hynë dhunshëm në këtë qendër votimi dhe shkatërruar materialin zgjedhor.