Zgjedhjet për 24 mijë votues

Organet e rendit kanë premtuar vigjilencë më të madhe se më 3 nëntor, kur persona të maskuar demoluan vendvotimet në Veri. Këtë e shpresojnë edhe vëzhguesit. Por, si do të sillen ekstremistët? E diela do të tregojë. Janë 24 mijë votues që kanë fate në duar.

Lajme

16/11/2013 20:38

Politikanët në Prishtinë e Beograd mund ta mbajnë frymën dhe kryqëzojnë gishtat gjatë ditës së nesërme për ecurinë e votimeve në Mitrovicën e Veriut.

Një proces i tërë dialogu ndërmjet dy vendeve mund të varet nga ajo se si banorët e kësaj Komune të re të Kosovës i bëjnë zgjedhjet më 17 nëntor.

Herën e parë, procesi u prish në minutat e fundit.

Organet e rendit dhe të sigurisë mund të shpresojnë se planet e tyre për të reaguar nuk do të vihen në funksion.

Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR kanë premtuar se do të jenë më vigjilentë se më 3 nëntor, kur persona të maskuar demoluan vendvotimet dhe shkatërruan materialet zgjedhore, duke e bërë procesin në këto tri qenda votimi të pavlefshëm.

Por, dështimi eventual i këtyre të fundt mund të mos u arsyetohet. Sepse, procesi zgjedhor të dielën do të jetë i përqendruar në vetëm tri qendra votimi.

Në zgjedhjet e 17 nëntorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote do të kenë 23.878 votues.

Përsëritja e zgjedhjeve në këto qendra votimi qe bërë pasi që OSBE, si lehtësuese e procesit në katër komunat e veriut të Kosovës, kishte rekoamnduar një gjë të tillë, në pamundësi për ta nxjerrë një rezultat nga votimet e 3 nëntorit pasi që fletëvotimet ishin shkatërruar nga ekstremistët e maskuar serbë.

Edhe këto zgjedhje do të jenë të vëzhguara nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë, të cilët presin rregullsi gjatë procesit.

Këtë e pret edhe Peter Palmer, Zëvendës Shef i Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EUEOM).

Palmer ka thënë sot për lajmi.net se ky ekip vëzhguesish pret që gjithçka të shkojë mirë në Mitrovicën e Veriut, që votuesit të dalin lirshëm për ta shprehur vullnetin e tyre, i cili pas numërimit të fletëvotimeve do të rezultojë me zgjedhjen e liderëve të tyre lokalë.

“Ne mund të flasim vetëm në emër të misionit dhe aktiviteteve tona. Ne shpresojmë se ambienti i sigurt, i cili do të jetë përreth qendrave të votimit, do t’u krijojë mundësinë qytetarëve për të dalë në votime”, është shprehur ai.

E diela do ta tregojë nëse ekstremistët serbë kanë marrë mesazhet e dhëna nga Beogradi dhe paralajmërimet për jotolerancë nga Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i.

Të dhënat për cdo Qendër të Votimit:

 

Qendra e votimit

Votues për QV

Numri i Vendvotimeve

3505B

14 311

16

3505X

7 927

9

3506B

1 140

2