Të Infektuar: 18.345

Të Shëruar: 15.198

Të Vdekur: 669

Zgjedhjet në Zelandë, kryeministrja Ardern arrin fitore bindëse

19:22 | 17 Tetor 2020

Kryeministrja Jacinda Ardern ka fituar zgjedhjet në Zelandën e Re, e ndihmuar nga suksesi në betejën kundër Covid 19 për të fituar një shumicë të paprecedentë dhe shansin për të implementuar axhendën e saj të reformave.

Partia e Ardern parashikohet të marrë rreth 64 vende në parlamentin me 120 deputetë. Asnjë lider nuk ka arritur një mazhorancë të tillë, absolute që kur Zelanda e Re miratoi një sistem votimi proporcional në 1996, çka edhe ka çuar në një seri qeverish shumëpartiake. Pa përfunduar ende numërimi i votave, liderja e opozitës, Judith Collins pranoi humbjen dhe i telefonoi Ardern për ta përgëzuar për rezultatin.

“Urime për rezultatin sepse unë besoj që ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për laburistët. Ka qenë një fushatë e fortë”, tha Collins para mbështetësve që e brohorisnin në Okland.

Partia e saj nacionaliste, pritet të marrë rreth 35 vende në parlament e ky duket se është rezultati më i dobët në rreth 20 vite. Performanca e Ardern ndërkohë ka kapërcyer parashikimet dhe i vendos laburistët në kurs për qeverisjen më të fortë që nga 1946. Presidentja e partisë, Claire Szabo lëvdoi fushatën e lideres karizmatike, që ndezi një valë mbështetjeje që është quajtur “Jacinda-mania’.

Vetë Ardern e ka cilësuar votimin si “Zgjedhjet e Covid-it” dhe e mbështeti fushatën e saj në suksesin e qeverisë në eleminimin e transmetimit të virusit në komunitet. Vendi ka regjistruar vetëm 25 viktima nga koronavirusi në një popullatë prej 5 milionë banorësh.