Zgjedhjet në veri varfërojnë buxhetin, ato nacionale do ta shkatërronin atë

Qeveria e Kosovës dje në mbledhje e saj të rregullt ka bërë të ditur se janë ndar 471 mijë euro për Këshillin Qendror Zgjedhor në dhe 18 mijë për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Lajme

19/04/2019 17:51

Këto para janë ndarë për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, shkruan lajmi.net.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i kushtojnë Kosovës me mbi gjysmë milioni euro dhe kjo po shihet si një goditje e radhës për buxhetin e Kosovës.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për lajmi.net i pyetur në lidhje me këtë gjë, është shprehur se kjo po e dëmton buxhetin e Kosovës.

Gërxhaliu gjithashtu ka shtuar se kjo qeveri është shëmbëlltyrë e shpenzimeve të parasë publike dhe po rrezikon rezervat shtetërore.

“Është e vërtetë që dëgjuam sot për një fond të ndarë nga Qeveria për zgjedhjet në veri dhe e tëra kjo e dëshmon edhe njëherë se tani qeveria është shëmbëlltyrë e shpenzimeve të parasë publike, në veçanti me rrezik për rezervat shtetërore”, tha Gërxhaliu.

Gjithashtu, ai ka shtuar se këto zgjedhje paraprakisht janë të gjykuara për të dështuar duke pasur parasysh raportet e Kosovës dhe Serbisë për normalizim, e që sipas tij janë në pikën zero.

“Në këtë drejtim nuk e kam brengën vetëm me atë që do të ndodh në veri, por tek ajo që këto zgjedhje do të jenë ndoshta në monitorimin e institucioneve ndërkombëtare dhe çfarëdo zgjedhjesh që do të mbahen do të jenë paraprakisht të gjykuara për të dështuar duke ditur se raportet rreth normalizimit dhe dialogu është në pikën zero”, tha Gërxhaliu për lajmi.net

I pyetur në fund se çfarë do të kishte ndodhur me buxhetin e Kosovës sikur të ndodhin në Kosovë zgjedhje të jashtëzakonshme siç pretendohet nga partitë opozitare që mendojnë për rrëzimin e qeverisë, Gërxhaliu shtoi se kjo do të ishte cenim i stabilitetit fiskal të Kosovës.

“Dhe në këtë drejtim është një kosto që do ta godet buxhetin e Kosovës dhe lind pyetja sikur të ishin sot edhe zgjedhjet në nivel shtetëror atëherë cenimi i stabilitetit fiskal do të jetë shumë i madh sepse shpenzimet janë të pakontrolluara ndërsa mos të mendohet se të hyrat dhe buxhetimi i tyre është i lehtë dhe në nivelin e dëshiruar”, tha Gërxhaliu në fund për lajmi.net.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut kanë ardhur si pasojë e dorëheqjes së katër kryetarëve të këtyre komunave me shumicë serbe.

Këto zgjedhje do t’i marrin nga buxheti i Kosovës jo më pak se gjysmë milioni euro.

Në anën tjetër, partitë opozitare tash e sa kohë po flasim për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme, e kjo sipas ekspertëve do të ishte një goditje e radhës për ekonominë e Kosovës. /Lajmi.net/