Zgjedhjet në veri, dorëheqjet e kryetarëve pasojë e politikave të Beogradit
Zgjedhjet në veri të Kosovës nuk kaluan pa zhurmë.
Lajme
Kandidatët e Listës Serbe fituan në të katër komunat veriore të Kosovës, ani pse edhe partitë shqiptare PDK e LVV kandiduan në këto zgjedhje.
Zgjedhjet në komunat e veriut janë mbajtur pas dorëheqjeve të katër kryetarëve të Listës Serbe si shenjë revolte ndaj taksës 100 për qind të Kosovës për mallrat serbe, shkruan lajmi.net.
Sot, vendet e QUINT-it me një deklaratë të përbashkët kanë thënë se zgjedhjet në veri ishin të qeta por me probleme.
Në këtë komunikatë të tyre përmenden edhe zgjedhjet e vitit 2017 ku sipas tyre shumë votues u frikësuan nëpër vendvotime të ndryshme atje.
Një deklaratë të tillë e ka quajtur “të marrë”, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili është shprehur i zhgënjyer nga vendet e QUINT-it.
Vuçiq e quan “të marrë” deklaratën e Quint-it për zgjedhjet në veri
Në anën tjetër, kandidatët e Listës Serbe nuk e kanë mohuar mundësinë e dorëheqjes përsëri pas marrjes së mandateve.
Lista Serbe nuk e mohon mundësinë e dorëheqjeve të kryetarëve serbë
Kjo sigurisht e bllokon funksionimin e mirëfilltë të asaj pjese të Kosovës, por sipas njohësit të Kushtetutës, Riza Smaka nuk ekziston ndonjë kufizim sa i përket dorëheqjeve.
“Nuk ekziston ndonjë ligj që kufizon dorëheqjet. Ata mund të japin dorëheqje, 2 herë, 3 herë duke dhënë arsye nga më të ndryshmet qofshin ato edhe të fabrikuara”, ka thënë Smaka për lajmi.net.
Më tutje, Smaka është shprehur se kjo është krejtësisht pasojë e politikës së Serbisë dhe e luftës së saj kundër Kosovës.
“Por kjo është krejtësisht çështje politike, politikë hegjemoniste e institucioneve të Serbisë kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”, tha Smaka.
Sipas njohësit të kushtetutës, Riza Smaka, kjo është lojë e Serbisë me anë të së cilës dëshiron të aneksojë veriun e Kosovës.
“Me anë të kësaj strategjie, ata dëshirojnë të bëjnë aneksimin e veriut të Kosovës, pra Serbia nuk është e interesuar as për demarkim e as për korrigjim kufiri. Kjo nënkupton se Serbia me anë të këtyre politikave dëshiron të aneksojë veriun e Kosovës”, tha Smaka për lajmi.net.
Ndërsa sot, kryeparlamentari Kadri Veseli ka qëndruar në veri të Kosovës ku ka falënderuar qytetarët e asaj ane për besimin që i kanë dhënë Partisë Demokratike në këto zgjedhje.
Ai ka bërë thirrje për investime më të mëdha në atë pjesë të Kosovës, në rindërtimin e shtëpive, përmirësimin e infrastrukturës dhe në shëndetësi. /Lajmi.net/