Zgjedhjet në Graçanicë: Një i arrestuar dhe votime familjare
Një qytetar nga Graçanica është arrestuar sot gjatë procesit të votimit në qendrën e votimit nr 2 në Graçanicë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Graçanicës janë karakterizuar edhe me parregullsi, siç janë votimet familjare dhe fotografimi i votës.
Lajme
Rasti i arrestimit është konfirmuar edhe nga prokurori kujdestar nga Prokuroria e Shtetit, Armend Hamiti, si dhe Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim.
Ky ka qenë incidenti më i rëndë që është shënuar gjatë ditës së sotme, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Graçanicës.
Këto zgjedhje janë shoqëruar edhe me votime familjare, shoqërime nga anëtarë të familjes, tentim për të fotografuar votën dhe disa incidente të tjera të vogla.
Prokurori kujdestar i dërguar nga Prokuroria e Shtetit, Armend Hamiti, tha për KosovaPress, se personi që ka bërë këtë incident është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Në vendvotimin numër 2 në shkollën Kralj Milotin ka ndodhur. Një votues pasi që ka kryer procesin e votimit, dhe një komisionarë që ka qenë aty, e ka penguar në procesin e votimit… E ka penguar komisionarin. E ka penguar të kryejë punën e saj. Personi i dyshuar është dalë në mbajtje dhe me urdhër të prokurorit është dërguar për 48 orë në qendrën e mbajtjes”, thotë Hamiti.
Sa i përket incidenteve të tjera, Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, thotë se këto incidente nuk kanë penguar në procesin e zgjedhjeve, pasi që tashmë sipas tij këto incidente janë bërë trend në Kosovë.
“Normalisht si proces është shënuar me disa parregullsi. Gjithsesi tani më janë disa trende të parregullsive që ndodhin në Kosovë por që nuk e kanë cenuar procesin. Kryesisht kemi pasur votime familjare, apo të shoqëruara nga anëtarë të familjes. Kemi pasur dy tre raste kur është tentuar të fotografohet vota apo ka pasur edhe paqartësi dhe tentativa për të votuar me dokumente të Serbisë. Me të gjitha këto me ndërhyrjen e komisionerëve janë ndaluar dhe nuk kanë ndikuar në proces”, thotë Kryeziu.
Për procesin e zgjedhjeve të sotme ka folur edhe kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shaip Berisha.
Ai, për KosovaPress, ka treguar versionin e komisionarëve dhe vëzhguesve të LDK-së, për siç tha ai, ka shkuar gjithçka në rregull.
Por, Berisha nuk është optimist për të fituar këtë garë.
“Pak kanë dalë. Njerëzit janë edhe të zhgënjyer, megjithëse boll jemi munduar ti mobilizojmë, megjithatë duhet shumë më tepër punë për të mundur me i bind njerëzit. E kamë vërejtur edhe kur shkoja edhe në fushatën zgjedhore se njerëzit janë shumë të ftohtë. Nuk e di tash. Te shohim. Pa u numëruar votat. Diku prej 17 mijë votave, shqiptarë janë vetëm 400 shqiptar. Janë më shumë votues mirëpo nuk po dalin”, thotë Berisha.