Zgjedhjet kruciale për integrimin

Sipas Samuel Zbogar rregullsia e procesit zgjedhor është kruciale për vazhdimin në procesin integrues për Kosovën.

Lajme

02/10/2013 16:48

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për Kosovën, Samuel Zbogar ka thënë se rregullsia e procesit zgjedhor në Kosovë është kruciale për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

Në një intervistë për Kosovapress, Zbogar u shpreh se integrimi i veriut ka filluar me marrëveshjen e prillit ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Rregullsia e këtij procesi zgjedhor është kruciale për vazhdimin në procesin integrues për Kosovën, për vazhdimin e trendit të mirë që ne kemi në marrëdhëniet tona. Pra, mendoj që kjo është shumë me rëndësi”.

“Integrimi i veriut në Kosovë nuk ka filluar me zgjedhjet dhe nuk do të mbaroj me zgjedhjet. Mendoj që integrimi i veriut në Kosovë filloi me marrëveshjen e prillit dhe me të gjitha veprimet që ne kemi ndërmarrë tashmë në këtë proces”.

“Natyrisht që zgjedhjet janë kruciale në atë proces, sepse, ato do të mbahen për herë të parë në gjithë Kosovën dhe në të gjitha komunat dhe do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës. Pra, është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij integrimi, por, natyrisht, nuk do të përfundojë me zgjedhjet, do të jetë një proces i vazhdueshëm”.

Sipas Zbogar, këto zgjedhje do të jenë të mbikëqyrura nga një ekip i Bashkimit Europian dhe ata do të jenë të saktë në gjetjet e tyre.

“Edhe nëse ata shohin një keqpërdorim ata nuk mund ta ndryshojnë atë me forcë, por ata janë këtu për të mbikëqyrur, por gjithashtu në të njëjtën kohë, ne shpresojmë dhe besojmë që prezenca e tyre do të jetë një lloj ndaluesi i keqpërdorimeve të mundshme”.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm që raportimi nga këta mbikëqyrës do të jetë krucial për vazhdimin e procesit drejt Bashkimit Evropian për Kosovën. Për këtë, është me rëndësi që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të rregullt, sepse, Kosova tanimë është afër Bashkimit Evropian dhe është me rëndësi që ata që jenë gati për t’iu bashkangjitur Bashkimit Evropian të mbajnë zgjedhje në përputhje me pritjet tona”.