Zgjedhjet ishin të mira

Përfaqësuesit e institucioneve dhe të partive politike e kanë vlerësuar të rregullt procesin zgjedhor, me disa defekte të vogla, që sipas tyre, nuk ndikojnë në rezultatin final. Por, kur është fjala të rezultati - ai nuk ka përmbushur pritjet e tyre.

Lajme

04/11/2013 13:35

Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit duket se pak ka surprizuar të gjitha forcat politike. Përveç që në masë të madhe nuk ka përmbushur pritjet e tyre, ky rezultat ishte edhe befasues në disa komuna.

Për shembull, në Denas nuk janë përmbushur pritjet e Jakup Krasniqit, i cili para zgjedhjeve kishte pritur rezultat shumë më të mirë për Iniciativën Qytetare të Drenasit, në mbështetje të së cilës kishte dalë gjatë fushatës zgjedhore.

Krasniqi e ka vlerësuar megjithatë të rregullt procesin zgjedhor, me disa defekte që nuk e ndikojnë rezultatin final.

“Mund të thuhet se procesi, përpos pjesës veriore, ka qenë i rregullt, natyrisht me defekte e tij, po se po”.

“Por, mund të thuhet se ka qenë një nga proceset më të rregullta që janë zhvilluar në dy tri palë zgjedhjet e fundit në Kosovë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, thotë se me këto zgjedhje të lira e demokratike më së shumti ka fituar Kosova. Sigurisht, edhe PDK’së, thotë ai.

“Së pari ju uroj për zgjedhje vërtet fer e demokratike. Lirisht mund të themi se ka fituar Kosova, por gjithsesi se ka dalë fituese edhe PDK’ja”.

“Partia Demokratike e Kosovës ka dalë më e fuqishme sesa që ka qenë për numër të votave”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, thotë se zgjedhjet ishin të mira dhe ato, sipas tij, e nxorën të parën këtë parti në nivel vendi.

“Rezultatet flasin vetë. Kur të bëhen zyrtare do t’i shihni edhe ju”.

“Po i presim rezultatet definitive të certifikuara. Por, LDK është partia e parë, nuk do të ketë asnjë dilemë, por edhe s’ka”.

“Unë sot nuk mund të them asgjë më tepër sesa ajo që rezultatet janë ato që janë dhe LDK ka dalë partia numër 1, në totalin e votave”.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk i kanë dalë të sakta pritjet që ka pasur në këto zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlametnar të AAK’së, Ardian Gjini, thotë megjithatë se partia e tij nuk ka dështuar.

“Aleanca është rritur”.

“E vërteta është se nuk kemi arritur krejt çfarë kemi synuar dhe kemi besuar. Mirëpo, në asnjë variant AAK nuk del e dështuar”.

“Gjithmonë humbësi dhe fituesi matet me disa parametra, krahasohet me të tjerët ose me synimet e veta. Mendoj se pak parti politike në Kosovë kanë mbërritur në këto zgjedhje që t`i arrijnë synimet e veta”.

“Definitivisht Aleanca nuk i ka arritur synimet që ka pritur”.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e partive politike kanë folur edhe për incidentet në pjesën veriore të Kosovës, ku sipas tyre, kanë dështuar mekanizmat e sigurisë të kryejnë punën e tyre.