Zgjedhjet ishin të lira, fer e demokratike

DnV ka vlerësuar zgjedhjet lokale në raundin e dytë. DnV ka vlerësuar pjekurinë civilizuese të qytetarëve, subjekteve politike dhe profesionalizmin e organeve ndjekëse në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pranimit dinjitoz të rezultateve.

Lajme

02/12/2013 14:41

Koalicioni i OJQ’ve ‘Demokracia në Veprim’ i ka vlerësuar si të rregullta zgjedhjet lokale, duke thënë se janë realizuar në masë të madhe standardet demokratike.

DnV ka vlerësuar pjekurinë civilizuese të qytetarëve,  subjekteve politike dhe profesionalizmin e organeve ndjekëse në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pranimit dinjitoz të rezultateve preliminare.

Shqipe Pantina nga DnV ka thënë se përkundër vlerësimit pozitiv të procesit në përgjithësi, megjithatë ata kanë evidentuar parregullsi që vazhdojnë të përcjellin në vazhdimësi procesin zgjedhor në Kosovë.

“Ndër parregullsitë siç janë rastet e fenomenit të ‘votës së korruptuar’ ku dyshohet se votuesit kanë bërë fotografimin e votës”.

“Sipas të vëzhguesve të DnV-së janë raportuar disa raste ku votuesit kanë bërë fotografimin e votës, edhe pse ky veprim është e sanksionuar me Kodin e ri Penal të Kosovës. Edhe më tutje shqetësim mbeten pasaktësitë në listat e votuesve”.

“Prania e personave të vdekur në lista si dhe ndërrimi i vendvotimeve për votuesit kanë qenë raste të shprehura në disa komuna të Kosovës, janë raportuar disa raste të prezencës së personave të pa-autorizuar afër qendrave të votimit dhe në disa raste edhe brenda vetë qendrave të votimit”.

“Prania e tyre ka paraqitur pengesë apo ndikim eventual tek votuesit. Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar disa raste të tentimit nga qytetarë të papërgjegjshëm për të votuar dy herë, apo tentime për të votuar me dokumente false”.

“Rastet e tilla më së shpeshti janë raportuar në Mitrovicën e Veriut, ka thënë ajo”.

Sipas DnV me angazhimin e 1600 vëzhguesve, rrjeti i OJQ-ve ka monitoruar procesin zgjedhor në raundin e dytë për zgjedhjet lokale për kryetar komunash, në të gjitha ato komuna ku është organizuar procesi i balotazhit me 1 dhjetor 2013 në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, në ditën e votimit, DnV ka pasur Qendrën e saj të Thirrjeve dhe komunikimit me publikun me 130 vullnetarë të angazhuar.