Zgjedhjet ‘in’ dhe ‘shik’ sipas Dacit
Nexhat Daci thotë se zgjidhja e vetme për t’ia kthyer dinjitetin gjithë popullit të Kosovës janë zgjedhjet e reja parlamentare, të përgatitura mirë. Kjo, sipas tij, nënkupton reformimin e ligjit zgjedhor dhe disiplinim të vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, shprehet i kënaqur me rezultatin që ka arritur në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit koalicioni AAK-LDD.
Daci thotë për “Epoka e Re” se treni i këtij koalicioni është nisur në drejtim të duhur.
“Nuk kam pasur pritje më të mëdha. Saktësisht, kam vlerësuar që si koalicion do të jemi rreth 15 për qind dhe do të ketë ngritje nga një pozicion në tjetrin. Pra, treni i koalicionit AAK-LDD është nisur në drejtim të mirë dhe ka marrë hovin e shpejtësisë së nevojshme që të arrijë në stacionin e caktuar në zgjedhjet nacionale”.
“Mendoj se zgjidhja e vetme për t’ia kthyer dinjitetin gjithë popullit të Kosovës janë zgjedhjet e reja parlamentare, por të përgatitura mirë. Kjo nënkupton reformimin e ligjit zgjedhor dhe disiplinim të vendorëve dhe ndërkombëtarëve”.
Daci ka edhe vërejtjet e tij për procesin zgjedhor të 3 nëntorit.
“Këto zgjedhje nga jashtë janë dukur shumë ‘in’, shumë ‘shik’, të veshura me petkun e demokracisë. Por, në qoftë se hyhet në analizë detale, dalin dy rezultate: njëra e pakuptueshme që, veç Kosovës, i duhet aq shumë kohë për rezultate preliminare, kurse për rezultatet përfundimtare edhe më gjatë. E dyta, është gullashi ynë kosovar që brenda familjes, brenda llojit të bëhen vjedhje, të cilat nuk janë të vogla që ia qesin hijen e keqe”.
“Krahasuar me zgjedhjet e deritanishme që i ka organizuar Kosova, këto janë zgjedhjet më të mira që japin një shans për perspektivë të avancimit të proceseve zgjedhore në Kosovë”.
Daci është i bindur në fitoren e kandidatit të koalicionit AAK/LDD në Pejë, Ali Berisha, ndërsa çmon personalitetin e Mimoza Kusarit-Lila në Gjakovë.
“Jam i bindur plotësisht në Pejë. Në Gjakovë kandidati ynë e ka kundërkandidatin shumë të mirë. Mimozën e çmoj si personalitet që ka aftësi t’i lëvizë çështjet teorike-ekonomike, por atë potencial që ka pasur në Qeveri nuk e ka përdorur për Gjakovën dhe këtu është arsyeja që Pali mund ta rikthejë rezultatin”.
“Të gjitha rezultatet e arritura në përgjithësi në Gjakovë janë rezultat i forcës individuale të Palit, e jo i shtetit. Në qoftë se Pal Lekaj di ta rrotullojë këtë mekanizim për së mbari, nuk është pa shanse për ta fituar Gjakovën”.