Zgjedhjet e “suksesshme”, hapi i parë

Ish Administratori i UNMIK’ut për Mitrovicën, Gerrard Gallucci, analizon Veriun e Kosovës pas zgjedhjeve. Ai pret që Serbia të kushtëzohet me njohjen e Kosovës, ndërsa parashtron “pyetjet e mëdha” për Veriun.

Lajme

22/11/2013 09:50

Zgjedhjet e nëntorit në Kosovë kanë përmbushur standardet minimale për t’u konsideruar “të suksesshme”, thotë ish Administratori i UNMIK’ut për Mitrovicën, Gerrard Gallucci në një analizë të tij për situatën në Veri pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Pjesëmarrje jo shumë e lartë në shumicën e vendeve – pas një ngritjeje fillestare – me pak më shumë se 20 për qind në Mitrovicën e Veriut. Me disa balotazhe në pritje, serbët e Kosovës pritet t’i fitojnë pozitat kryesore në të gjitha komunat ku ata përbëjnë shumicën nëpër enklava, përfshirë edhe katër komunat në Veri. Kjo tejkalon një pengesë të madhe në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

“Por shumëçka mbetet të vendoset dhe kryhet dhe Serbia një ditë do të përballet me pengesën më të madhe para se të hyjë në BE, njohjen e Kosovës. Por ndoshta gjërat mund të zgjidhen ndërkohë”, shkruan ai.

Në këtë analizë, Gallucci parashtron një varg pyetjesh “të mëdha”, përgjigjet e të cilave duhet pritur që të shihen në të ardhmen.

“Aktualisht, pyetjet më të mëdha sillen rreth Veriut: si do të përgjigjen serbët shumicë ndaj një qeverie lokale të zgjedhur? A do të kërkojë Prishtina ta përdorë “suksesin” e kufizuar të zgjedhjeve për ta shtyrë përpara avantazhin e shpejtë në Veri, dhe nëse po, a do ta lejojë Quint këtë? Cilët janë kufijtë e komunës së re të Mitrovicës së veriut? A do të funksionojnë “doganat” në kufirin verior dhe nëse po, ku do të shkojnë taksat e mbledhura? A do të jenë veriorët të detyruar t’i përdorin targat kosovare? Çka do të ndodh me Trepçën dhe Gazivodën? Dhe, çka do të ndodh me Bashkësinë e Komunave Serbe?”.

Sipas tij, shumica e veriorëve nuk kanë votuar, ndërsa shumë nga ata që kanë votuar kanë qenë nën presion nga Beogradi për ta bërë këtë.

“Kështu që është e qartë se shumica e serbëve të veriut të Kosovës ende e refuzojnë pavarësinë e Kosovës ose refuzojnë të përfshihen në çdolloj “shteti” të Kosovës. Nëse një kornizë e neutralitetit ndaj statusit për qeveritë lokale brenda kontekstit mbarëkosovar funksionon, asaj duhet t’i jepet hapësirë dhe kohë që të zhvillohet pa ndërhyrjet dhe provokimet e Prishtinës. Çdo përpjekje për t’i përfshirë në mënyrë të njëanshme policët, gjykatësit, doganierët, zyrtarët apo “të kthyerit” shqiptarë të Kosovës në Veri me gjasë do të shkaktonte konflikt dhe do ta pengonte progresin e mëtejmë. Përpjekjet e Prishtinës për t’i diktuar qeveritë lokale në komunat me shumicë serbe ose për ta kufizuar ose kontrolluar financimin nga Beogradi do ta shkaktonte të njëjtën”.

“Mitrovica e Veriut paraqet sfidë dhe mundësi unike. Kompetencat e saj të rritura mund të ndikojnë që kjo komunë të bëhet nyje për serbët e Kosovës në tërë territorin. Përderisa mbetet i vetmi qytet me një popullatë ende të përzier- përfshirë një pakicë të konsiderueshme shqiptare në Veri- ajo mund të bëhet laborator për të demonstruar rrugët drejt pajtimit. Si e tillë, kufiri i saj duhet të jetë lumi Ibër”, thotë Gerrard Gallucci.