Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, deri në ora 11:00 kanë votuar 16% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komuna: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Lajme

19/05/2019 11:55

KQZ njofton se deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 9 mijë e 361 qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre në këto katër komuna.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, deri në të njëjtën kohë, patën votuar 8 mijë e 483 votues apo 14.88%, përcjell lajmi.net.

Po ashtu KQZ ka bërë të ditur se të gjitha 87 vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullsi.

Në këto zgjedhje në garë janë kandidatë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në garë për kryetar të Leposaviqit janë: Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë: Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.

Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe.

Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie. /Lajmi.net/