Zgjedhjet 2019: Kush do ta gëlltitë bretkosën?

Për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 6 tetor partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet dhe po krijohen koalicionet parazgjedhore që do ta përcaktojnë natyrën e garës.

Opinion

27/08/2019 20:46

Shkruan: Shkelzen Maliqi

Kësaj here gara do të jetë, me gjasë, më ndryshe nga zgjedhjet e viteve 2013 dhe 2017. Pritet që ato të janë më rezultative – në kuptimin se vota nuk do të shpërndahet duke krijuar ngushtica që do ta pengonin arritjen e mazhorancës dhe bllokada në punën e Kuvendit dhe të ekzekutivit. Në zgjedhjet e 6 tetorit pritet që subjektet politike shqiptare do të krijojnë mazhorancë të duhur për krijimin e qeverisë stabile pa e kërkuar mbështetjen kushtëzuese nga Lista Serbe.

Këtë konstatim e mbështes në analizat e sondazheve që janë bërë kohëve të fundit (nuk i kam bërë vet, janë të organizatave tjera), si dhe të koalicioneve parazgjedhore tashmë të bëra dhe ato që po negociohen, që e kanë për qëllim evitimin e bllokadave të cilat në pesë vitet e fundit ndikuan negativisht në qeverisjen dhe zhvillimin e Kosovës.

Ndonëse materialet e sondazheve që i kisha në disponim nuk i konsideroj për burime absolutisht të sakta (në to kam gjetur elemente kontradiktash dhe dyshimesh të arsyeshme për “favorizime” dhe “disfavorizime” të subjekteve të caktuara politike), megjithatë kam hetuar elemente ngjashmërish që më dhanë mundësinë e konkludimit se elektorati i Kosovës po shfaq disa trendë që sinjalizojnë sjelljen e një rezultati përmbysës me 6 tetor.

Hipoteza e parë për trendin është se në zgjedhjet e 6 tetorit, ndër subjektet politike shqiptare, do të kemi garë të 5 grupimeve që pak a shumë janë formësuar, ndonëse ka ende mundësi që ato të ngjeshen ose rigrupohen në dy ditët e ardhshme para përfundimit të afatit për paraqitjen e tyre në KQZ. Këto subjekte janë: LDK, VV, PDK, AAK + PSD dhe Nisma + AKR.

Katër subjektet e para, si parti më vete, ose të sforcuara me partnerë, parti të vogla me të cilat hynë në koalicion, mund të garojnë duke llogaritur secili se e kanë përkrahjen e rreth 20% deri 22% të elektoratit të përgjithshëm shqiptar. Ndërkaq subjekti i pestë, Nisma me AKR-në, me gjasa duhet ta ketë përkrahjen e 8% deri 9 % të elektoratit.

Kjo vlerë prej 20% – 22% është rrumbullakësim i përafërt. Mes subjekteve mund të ketë diferenca plus ose minus 1% deri 1.5%, kështu që p.sh., spekulativisht,  LDK-ja më 6 tetor mund të ketë 21% deri 23%, kurse AAK me PSD-në 17% deri 19%. Ose me vlera të përmbysura.

Poenta e këtij argumenti është se këto 5 subjekte do të ndajnë 90% deri 92% të votave të shqiptarëve, që do të jenë më të koncentruara dhe më decidive në krijimin e mazhorancës optimale për qeverisje.

Në kushtet më normale, disa prej partive/subjekteve garuese që konsiderojnë se mund të dalin të parat edhe nëse garojnë të vetme në zgjedhje, parapëlqejnë lënien e çështjes së koalicioneve pas zgjedhjeve. Vetëm se e kanë drojën nëse do të gabojnë si në zgjedhjet e fundit pasi që fati i tyre u pat vendosur pas krijimit të koalicioneve ad hok: një ditë para afatit ligjor mes LDK-së dhe AKR-së, dhe i dyti, 5 minuta para skadimit të afatit për regjistrim, mes PDK-së, AAK-ë dhe Nismës (koalicioni PAN).

Në dy ditët vijuese, më 28 dhe 29 gusht, mund të përsëritet skenari i ngjashëm me koalicione të momentit të fundit.

Aktualisht duket sikur 4 subjektet më të fuqishme preferojnë të garojnë ndaras, secili me shpresën se do të dalë subjekti më i votuar. Por, sherri sërish qëndron te mundësia e lidhjes së koalicioneve në moment të fundit. Andaj ditëve të fundit kemi përpjekjet e VV-së dhe LDK-së që të bëjnë koalicion fitues “të numrave”, qoftë edhe me “program” të përbashkët jo edhe aq parimor, vetëm e vetëm që të mos përsëritet lançimi në mesnatë të afatit të një varianti të ri të koalicionit PAN që do ta rifaktorizonte dhe mbante në pushtet PDK-në, p.sh., tanimë ndoshta jo përmes Ramush Haradinajt, por Fatmir Limajt.

Ky rrezik i ka bërë tepër vigjilentë Isa Mustafën dhe Albin Kurtin që ta gjejnë formulën e koalicionit që bazohet në ndarjen e pushtetit ekzekutiv, të cilin ua mundëson pothuajse pa problem lidhja e koalicionit parazgjedhor. Nëse LDK dhe VV nuk e gjejnë formulën e kompromisit, mbetet edhe një opcion tjetër që njëri prej subjekteve, LDK ose VV, të heq dorë nga posti i kryeministrit, që mund të duket si “gëlltitje e bretkosës”.

Këtë tërheqje me gjasë më parë mund ta bëjë VV-ja, sepse struktura e saj më autokratike mundëson që për këtë të vendosë vet Kurti. Edhe përvoja e çarjes me Shpend Ahmetin dhe fraksionin e VV-së që kaloi te PSD-ja, sugjeron që Kurti të mos e bëjë gabimin e njëjtë të fiksimit për postin e Kryeministrit.

LDK-ja, ndërkaq, në këtë fazë kur si parti nuk është konsoliduar mjaftueshëm dhe ka hasur në shumë vështirësi që t’ia kalojë kompetencat dhe vizionet për riprofilizim dhe zhvillim brezit të ri, e ka më vështirë ta gëlltitë humbjen e kryeministrit. Me përzgjedhjen e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre, LDK-ja ka bërë një hap të madh në transformim dhe rinovim, dhe do të ishte gabim nëse, siç po thonë disa, do të lejohej që Osmanit t’i digjej karriera për hir të një kompromisi që bazohet vetëm në pazar numrash.

Në të vërtetë, nëse mendon strategjikisht, për Kurtin do të ishte më e dobishme pozita e eminencës gri në një koalicion prej zori,  pra me pushtet moral në prapavijë, dhe jo ekspozimi direkt ndaj po atyre presioneve ndërkombëtare, por edhe vendore, që e rrëzuan nga pushteti Ramush Haradinajn.

Marrë nga http://shkelzenmaliqi.com/kush-do-ta-gelltite-bretkocen/