Zëvendësi i Trump pritet me protesta në teatër

Amerikanët nuk janë ambientuar ende me faktin që në krye të tyre pas 20 janarit do të jetë dyshja Donald Trump dhe Mike Pence dhe këtë e tregon edhe pritja që iu rezervua zv.Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në teatrin “Broadway” në Nju Jork.

Bota

19/11/2016 17:06

Pence u shfaq në këtë teatër për të ndjekur muzikalin “Hamilton”, por u prit nga fërshëllimat e publikut dhe një mesazh të organizatorëve të shfaqjes.

“Ne zotëri, jemi Amerika e shumëllojshmërisë dhe jemi të alarmuar dhe në ankth se administrata juaj e re nuk do ta mbrojë këtë shumëllojshmëri”, lexoi mesazhin aktori Brandon Dixon.

Sipas raportimeve, mesazhi ishte përgatitur nga skenaristët e shfaqjes menjëherë sapo kishin mësuar se në sallë do të ishte edhe Mike Pence.

Leximi i mesazhit u prit me brohorima në publik dhe u desh thirrja e Brandon Dixon për të qetësuar publikun nga thirrjet kundërshtuese drejtuar Mike Pence.

Dëshmitarët thanë se zv.Presidenti u prit me kundërshti që në momentin që hyri në teatër dhe gjatë gjithë kohës shfaqja u ndërpre disa herë për shkak të thirrjeve kundër tij.

Në fund, kur Pence po largohej, Dixon kërkoi nga të pranishmit që të mos e fërshëllenin më atë dhe i kujtoi zv.Presidentit se kishte ndjekur një shfaqje të mundësuar nga njerëz të ngjyrave, bindjeve, besimeve dhe orientimeve seksuale të ndryshme.

Mike Pence njihet si një konservator i rrymës së ashpër. Ai u vendos në qendër të kritikave në fillim të vitit kur firmosi një ligj që kritikat thonë se diskriminon komunitetin LGBT dhe komunitetet fetare të ndryshme duke u njohur bizneseve të drejtën për të refuzuar marrjen e tyre në punë. Më vonë, Pence u dorëzua dhe e amendoi ligjin duke e zbutur disi këtë pjesë./ Top Channel