Zëvendës-kancelari austriak: E drejta për vetëvendosje e Kosovës veriore apo autonomia do të ishte e dëshirueshme
Njohja e Kosovës është çështje e Serbisë, kurse presioni mbi të për ta pranuar Kosovën është mënyrë e gabuar, tha Heinz-Christian Strache, zëvendës-kancelar i Austrisë, para vizitës në Beograd.
Lajme
“Mendoj se njohja e Kosovës është çështja e vetme e Serbisë. T’i bëhet presion vendit për këtë do të ishte mënyra e gabuar. Austria, si një vend neutral, duhet të luajë rolin e një ndërmjetësuesi”, tha Strache për gazetën serbe “Politika”, përcjell Telegrafi.
Strache përkujton se partia e tij (parti e skajshme konservatore) kritikoi ashpër njohjen austriake të Kosovës, por tani është një fakt që nuk mund të ndryshohet më.
Zëvendës-kancelari austriak tha se shpreson se është i mundur një kompromis në kuadër të dialogut të Brukselit midis Beogradit dhe Prishtinës.
Duke potencuar se Serbia pa dyshim është një nga vendet më të rëndësishme në rajon dhe garantues i paqes dhe stabilitetit, Strache thotë se vendi Serbia në aspektin e anëtarësimit në BE është në një rrugë shumë të mirë.
Sipas tij, e drejta për vetëvendosje të Kosovës veriore apo autonomia do të ishte e dëshirueshme.
“Por për këtë, fatkeqësisht, nevojiten negociata të gjata dhe të ndërlikuara. Më duket se Prishtina është shumë e qartë për këtë çështje”, tha Strache, i cili do të takohet të hënën me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Lideri i parisë së skajshme konservatore austriake, Heinz Christian Strache njihet si mik i Serbisë. Ai si lider i partisë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë në një miting të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit, dhe me atë rast e ka quajtur Kosovën “zemër të Serbisë”. /Telegrafi/