Zeqiri: Letra për Ligjin e Pagave s’është dërguar ende tek Avokati i Popullit, vetëm ekziston si opsion

Shqetësuese ka qenë situata gjatë këtyre ditëve për punëtorët e sektorit publik. Të njëjtit vazhdojnë të jenë në “ethe” se sa do të jetë përfituese Ligji për Paga, anipse në bazë të koeficientit 105 parashihej rritje e pagës. Por ajo çfarë thuhet se bie ndesh me interesat e tyre në sektorin publik është pikërisht heqja…

Lajme

05/02/2023 18:23

Shqetësuese ka qenë situata gjatë këtyre ditëve për punëtorët e sektorit publik.

Të njëjtit vazhdojnë të jenë në “ethe” se sa do të jetë përfituese Ligji për Paga, anipse në bazë të koeficientit 105 parashihej rritje e pagës.

Por ajo çfarë thuhet se bie ndesh me interesat e tyre në sektorin publik është pikërisht heqja e benefiteve nga shtojcat, si orët shtesë, orët gjatë vikendit e të ngjashme.

Tashmë në media është theksuar se Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me një letër.

Kjo letër në thelb ka kërkesë që ky Ligj i Pagave i miratuar ditë më parë të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, më saktësisht disa nene të cilat ndërlidhen me zyrtarët policorë të Kosovës.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Zeqiri ka konfirmuar se ekziston apo saktësisht parashihet të bëhet një kërkesë e tillë, por e njëjta nuk është bërë ende.

Ai ka deklaruar se nuk është e vërtetë që letra në fjalë është dërguar tek Avokati i Popullit.

“Letra nuk është dërguar. Kurdo që dërgohet ne e bëjmë publike atë, përmes ueb-faqes tonë apo kanaleve zyrtare të cilat i kemi. Kemi ndërmend pra, ekziston si opsion dërgimi i kësaj letre por nuk ka ende diçka konkrete”, theksoi ai.

Ndryshe në letrën e publikuar pak më parë ndër të tjerash theksohet se Sindikata e Policisë kërkon nga Avokati i Popullit që të dërgohen në Kushtetuese neni 26 lidhur me rrezikshmërinë në punë, neni për kompensimet si dhe shtojca për nëpunësit e shërbimit civil.

Gjithashtu është theksuar se Policia është ndër institucionet me rrezikshmëri më të lartë dhe se si e tillë kompensimi duhet të vlerësohet më shumë.

Po ashtu Sindikata e Policisë së Kosovës vlerëson se koeficienti i përcaktuar për Policinë e Kosovës nuk është përcaktuar në mënyrë të drejtë.

Me vendosjen e koeficientit është vendosur që paga e një zyrtari policor të jetë 619 euro bruto, por siç duket kësaj page vlera i bie në momentin që të njëjtëve nuk iu llogariten fare orët shtesë, rrezikshmëria, si dhe orët gjatë festave dhe ditëve të vikendit.

Shqetësime dhe mospajtime të shumta pati vazhdimisht në kuadër të Ligjit të Pagave. Ky Ligj i Pagave është vlerësuar me koeficient të mangët që vetëm po dëmton zyrtarët e sektorit publik./Lajmi.net/