Zenun Elezaj: Dy herë nuk gjeta siguri juridike në Gjykatën Themelore të Pejës

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, thotë se dy herë nuk gjeti siguri juridike në Gjykatën Themelore të Pejës, dhe paralajmëron se pasi të pranojë vendimin me shkrim avokati Kujtim Kërveshi do të paraqesë ankesë.

Lajme

01/12/2021 17:17

“Pres nga Gjykata e Apelit që t’i përmbahet standardit profesional të vendosur në aktvendimin e saj kur prishi aktgjykimin e parë të këtij trupi gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë. Pres nga kjo gjykatë të na ofrojë siguri juridike, atë që dy herë nuk e gjeta nga i njëjti trup gjykues në Gjykatën Themelore në Pejë”, bën të ditur Elezaj.

Sot Gjykata Themelore në Pejë, trupi i njëjtë gjykues në vitin që shkoi gjeti arsye ta shpallë fajtor për vepër penale të konfliktit të interesit, Elezaj thotë se sërish e ka shpallur fajtor për të njëjtën vepër.

“Por, tani nuk paska gjetur arsye të ma ndalojë ushtrimin e funksionit të detyrës në institucione publike.Po mendohem çfarë ndryshoi nga vendimi i datës 29 dhjetor 2020 nga ai sot? Ka ndryshuar vetëm fakti se sot gjykata, para se ta shpallë vendimin, ka pasur edhe dy deklarata më shumë dhe të dyja shfajësuese. Këto prova janë kërkuar nga Gjykata e Apelit si udhëzime për Gjykatën Themelore në Pejë që t’i vlerësojë ato”, shkruan Elezaj në Facebook.

Ai pretendon se me provat që ka pasur gjykata është dashur ta lirojnë.

“Këtë vendim sot, pas rigjykimit, s’kam si ta kuptoj ndryshe, përpos si vendim i pastër politik, për fatin tim të mirë që afatet kohore nuk janë përshtatur me zgjedhjet lokale, se forca të errëta, që duket se e kanë prekur edhe gjykatën në Pejë, do ta shfrytëzonin këtë mundësi politike duke e vënë gjykatën në shërbim politik”, shkruan Elezaj.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2021 siguroi mandatin të qeverisë me Klinën në katër vitet e ardhshme.