Zemaj: Unë i kam pritur sulmet, por kurseni mjekët nga lufta politike

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj thotë se ai e ka pritur që do të sulmohet pasi është emëruar ministër në kohë të përplasjeve të mëdha politike.

Lajme

06/07/2020 21:32

Zemaj në RTV Dukagjini ka thënë se ashtu si në vendet tjera pas lirimit të masave, edhe në Kosovë kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të prekurve nga COVID-19.

“Por më e madhja është mosrespektimi i masave, që nga mos bartja e maskave e deri të grumbullimet e pakontrolluara”, tha ai.

Ai thotë se nuk është koha që pandemia të shfrytëzohet për propagandë politike.

“Të ruhet integriteti personal i mjekëve dhe infermierëve sepse kanë punuar me nderë dhe përkushtim. Ata të mos bëhen pjesë e debateve politike. Unë e di që jam emëruar ministër në kohë të pandemisë dhe në kohën e përplasjeve të mëdha politike kur është ndërruar pushteti”.

Ministri i Shëndetësisë thotë se ky muaj ka qenë atraktive për oponentët politik.

Duke folur për menaxhimin e pandemisë Zemaj thotë se ka kërkesa të mëdha nga qytetarët për testime edhe nga frika.

Zemaj thotë se Prishtina është qyteti ku kontrolli i lëvizjeve të qytetarëve është më vështirë i kontrollueshëm.