Zemaj: Shteti duhet të jetë i hapur, që qytetari të mos varfërohet, masat anti-COVID të zbatohen në përpikmëri

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka porositur qytetarët që t’u përmbahen rregullave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Lajme

25/10/2020 14:38

Zemaj tha se kemi dëshmuar se sa herë që kemi qenë bashkë, kemi fituar dhe se edhe në luftën kundër COVID-19, pashmangshëm do të dalim fitues.

“Të vazhdojmë fuqishëm, secili në përgjegjësitë që kemi, qeveria, policia, inspektoratet, spitalet, qytetarët dhe të gjithë akterët tjerë, bashkë kundër pandemisë.Zëri i ekspertëve të vazhdoj të jetë zëri i vetëm që duhet të dëgjohet, vendimet e institucioneve duhet të respektohen dhe secili prej nesh, t’i zbatojë ato.Ta mbrojmë veten dhe të afërmit, të mbrojmë shëndetin publik dhe ta ndihmojmë shtetin”, tha Zemaj, transmeton lajmi.net.

Ministri Zemaj deklaroi se shteti duhet të jetë i hapur, nxënësit duhet të vazhdojnë të vijojnë mësimin në shkolla, bizneset duhet të vazhdojnë punën, që qytetari të mos varfërohet nga pamundësia për të punuar.

“Andaj, të jemi të kujdesshëm dhe ta mundësojmë funksionimin e hapur të shtetit për të gjithë.Ndërsa për ata që shkelin masat anti Covid- 19, duhet të zbatohet në përpikmëri Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nga organet e rendit.

Bashkë ia dalim!

Vendose maskën!

Mbaje higjienën!

Ruaje distancën!”, shtoi Zemaj./Lajmi.net/