Zemaj i quan demokratike zgjedhjet në LDK, shprehët kundër përjashtimit të Osmanit

Armend Zemaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, vlerëson se zgjedhjet në këtë parti të mbajtura të dielën e kaluar, ishin demokratike.

Lajme

03/06/2015 18:31

I ftuar në Info Magazine të Klan Kosova, ka folur rreth zgjedhjeve të Kuvendit të VIII-të në LDK-së dhe ka konsideruar se kjo parti e ka kaluar provimin e demokracisë që moti.

“Lidhja Demokratike ka kohë që e ka kaluar testin demokratik. LDK-ja e ka humbur liderin e saj, Ibrahim Rugova dhe ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Të dielën në zgjedhje ka pasur një proces shumë demokratik”, ka thënë Zemaj.

Ai e ka cilësuar të panevojshëm përjashtimin e mediave nga salla ku po mbaheshin zgjedhjet e LDK-së.

“Kuvendi zgjedhor nuk ka pasur nevojë që të mos i lejojë mediat në Kuvend, sepse çdokush ka mundur të flasë pa u penguar nga askush”.

Zemaj, është deklaruar se e përkrah zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar dhe se ai nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me LDK-në.

“Unë jam në mbështetje të kryetarit të LDK-së dhe në mbështetje të të gjithë veprimtarisë së partisë. Unë nuk ndryshoj qëndrim, por jam zë kritik sa herë nuk pajtohem me diçka në LDK. Kam qenë dhe jam kundër koalicionit qeverisës me PDK-në”.

Zemaj ka bërë komente edhe rreth pozitës së deputetes Vjosa Osmani Brenda LDK-së. Ai ka thënë se nuk ka mundësi që ajo të largohet nga partia.

“Vjosa Osmani nuk do të përjashtohet asnjëherë, nuk është logjikë e LDK-së përjashtimi. Vjosa Osmani dhe Arben Gashi është dashur të jenë në Këshill të Përgjithshëm për hir të votës elektorale që kanë”, ka konstatuar Zemaj.