Zemaj: 1 mijë e 271 profesionistë shëndetësor rrezikojnë të mbesin pa punë ditëve në vijim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se do të ishte padrejtësi nëse kjo e fundit nuk ua vazhdon kontratat mjekëve, infermierëve, laborantëve dhe stafit mbështetës, të cilët janë përballur me pandeminë Covid -19.

Lajme

04/06/2022 12:30

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, ka shtuar se Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor, shkruan lajmi.net.

“Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor! Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodh, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat!”, ka thënë Zemaj.

Tutje, ai ka thënë se këta të rinj dhe të reja nuk duhet lejuar që t’i drejtohen ambasadave që të dalin jashtë Kosovës, ose siç ka thënë deputeti i LDK-së “të mbesin rrugëve”.

Postimi plotë:

Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor!

Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodh, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat!

Kosova nuk e ka luksin të sillet papërgjegjshëm ndaj këtij kuadri që doli krah kolegëve, qytetarëve dhe pacientëve në ditët më të vështira të shëndetësisë tonë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të veta.

1.271 mjekë, infermierë, laborantë, inspektorë dhe staf mbështetës të angazhuar në luftimin e pandemisë meriton respekt. Respekti institucional, përtej fjalëve të mira, do të ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Ndryshe, ikja e kuadrit të arsimuar shëndetësor dhe jo vetëm është papërgjegjësi e Qeverisë!

1.271 të rinj dhe të reja nuk duhet lejuar t’i drejtohen ambasadave e as të mbesin rrugëve. Qeveria në afat optimal duhet të gjej zgjidhje për ta!

Secili nga 1.271 të angazhuarit e deritashëm në sistemin e shëndetësisë, janë pjesë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke përkrahur kolegët në dhënien e shërbimeve dhe kujdesit për qytetarët të cilët kanë nevojë për përkujdesje cilësore shëndetësore.

Shëndetësia nuk është luks, është domosdo që Qeveria duhet ta sigurojë për qytetarët, për pacientët, në të gjitha nivelet e përkujdesjes!ł /Lajmi.net/