Zelensky: Rusia ka nisur t’i përdorë ushtarët e Koresë së Veriut në sulme
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi se Moska kishte filluar të përfshijë një numër të konsiderueshëm trupash të Koresë së Veriut në përpjekjet për të larguar ushtrinë ukrainase nga rajoni i Kurskut. Ushtria ukrainase filloi një inkursion në Kursk në gusht dhe vazhdon të kontrollojë disa vendbanime, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar presionin…
Bota
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi se Moska kishte filluar të përfshijë një numër të konsiderueshëm trupash të Koresë së Veriut në përpjekjet për të larguar ushtrinë ukrainase nga rajoni i Kurskut.
Ushtria ukrainase filloi një inkursion në Kursk në gusht dhe vazhdon të kontrollojë disa vendbanime, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar presionin ndaj ushtrisë së saj në Ukrainën lindore.
“Sot tashmë ka të dhëna paraprake se rusët kanë filluar të përdorin ushtarë nga Koreja e Veriut në sulmet e tyre – një numër i konsiderueshëm. Rusët i përdorin ata në operacionet në rajonin e Kurskut. Deri më tani vetëm atje,” tha Zelensky në fjalimin e tij të rregullt në rrjetin X.
Zelensky theksoi se pjesëmarrja e ushtrisë së Koresë së Veriut në operacionet në Kursk është shenjë e përshkallëzimit të ri të luftës që po vazhdon prej gati 34 muajsh.
Ukraina do të vazhdojë të mbrohet duke përfshirë edhe kundër trupave të Koresë së Veriut, shtoi ai.
Zyrtarët ukrainas dhe koreano-jugorë kanë thënë më parë se 10 mijë koreano-veriorë ndodhen në Rusi.
Zelensky vuri në dukje se presidenti rus Vladimir Putin po ndërmerr hapa drejt zgjerimit dhe vazhdimit të luftës.
“Humbjet në mesin e trupave të Koresë së Veriut tashmë janë të dukshme. Në fakt, Moska ka tërhequr edhe një shtet tjetër në këtë luftë. Putin dëshiron që bota të përballet me probleme shtesë edhe në Azi, andaj rusët po trajnojnë Korenë e Veriut në luftë moderne. Moska po injoron thirrjet për de-përshkallëzimin nga të gjitha vendet. Sa herë që nuk ka një përgjigje të fortë globale, Rusia e përkeqëson luftën. Kështu ka qenë gjithmonë”, ka thënë ai.
Zelensky u kërkoi përsëri partnerëve të tij perëndimorë që të rrisin mbështetjen për Kievin, duke thënë se do ta diskutonte këtë me ta në një takim javën e ardhshme.