Zelandë e Re, rihapen xhamitë pas sulmit terrorist

Besimtarët janë rikthyer në xhaminë “Al Noor” në Christchurch, për të parën herë që nga sulmi pas të cilit mbetën të vrarë dhjetëra njerëz.

Bota

23/03/2019 17:27

Ndërtesa ishte mbyllur me qëllim që policia të përfundonte hetimet, por të shtunën, grupe të vogla u lejuan të kthehen. 50 persona u vranë gjatë të shtënave në dy xhami më 15 mars.

Ndërsa xhamia “Al Noor” u rihap, rreth 3.000 vetë marshuan nëpër Christchurch të shtunën, në atë që u quajt “Marshim për dashurinë” dhe që kishte si qëllim të nderonte viktimat.

Ata marshuan në heshtje dhe disa mbanin në duar pankarta, ku kërkohej paqe dhe kundërshtohej racizmi.

“Urrejtja ka sjellë kohë të zymta. Dashuria është kura më e fuqishme, për ta nxjerrë qytetin tonë nga errësira në dritë”, tha një prej marshuesve.

Një 28-vjeçar australian, supremacist i bardhë i vetëshpallur, është akuzuar për vrasjen e 50 viktimave dhe pritet të dalë para drejtësisë.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern vendosi të enjten ndalimin e të gjitha armëve gjysmëautomatike, ndërsa javën e ardhshme është paralajmëruar një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave.