Zejnullahu: Nuk do të lejoj prodhim të analfabetëve në UP

Mbledhja Senatit i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të mbahet nesër prej orës 09:00. Në rend dite do të jetë edhe çështja e zgjedhjes së stafit akademik, bazuar në konkursin e shpallur në janar të këtij viti, e që do të jetë hera e katërt që do të dal për votim në këtë Senat.

Lajme

09/09/2015 16:52

Avancimi i personelit akademik në UP e ka ndarë tashmë në dysh këtë institucion. Rektori Ramadan Zejnullahu po refuzon që propozimet nga fakultetet të votohen në ‘pako’ në Senat.

Ndërsa, shumica e senatorëve tri herë radhazi në Senat kanë këmbëngulur dhe po këmbëngulin që të votohet për atë që ka vendosur komisioni i studimeve dhe këshilli i fakulteteve, si dhe të shkohet me votim në pako.

Burime të gazetës “Zëri” brenda UP-së thonë se përplasjet rreth avancimit të stafit akademik do të shfaqen dhe nesër në mbledhjen e Senatit, madje senatorët sipas këtij burimi po përgatiten të kërkojnë dhe dorëheqjen apo shkarkimin e rektorit Zejnullahu. Mbledhja e fundit e Senatit më 30 qershor u ndërpre njëanshëm nga ana e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Zejnullahu tha se edhe nesër (enjte) nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij.

“Asnjëherë nuk kam deklaruar se tërhiqem, do të bëjmë një vlerësim të kandidatëve që të garantojë që secila thirrje e ka bazën e fortë ligjore”.

Zejnullahu thotë se është i vendosur të mos ndjek rrugën që duan një pjesë e senatorëve për ta quar, sipas tij drejt jogligjshmërisë UP-në.

“Nëse heq dorë nga qëndrimi im është baraz me vdekje, shkojmë drejt rënies dhe jo ngritjes”.

Ai thotë se është vendosur të mos e bëjë të parën.

“Nëse shtetit i vyejnë analfabeta le ta sjellë tjetër kënd, unë jo”, ka thënë rektori Zejnullahu.

Në mesin e atyre që janë refuzuar nga komisioni për studime në Rektorat me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret statutare për thirrje akademike më të lartë ka edhe shumë emra të njohur për publikun, disa nga ta dekanë, politikanë, zyrtarë të lartë të shtetit, si: Ethem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe ish-ministër; Skender Ahmeti, dekan i Fakultetit Ekonomik; Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës; Linda Grapci-Kotorri, prorektore e Universitetit të Pejës; Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit dhe ish-ministër; Mytaher Haskuka, deputet i LVV në Kuvendin e Kosovës; Kemajl Kurteshi dhe Sabrije Osmanaj, anëtarë të Senatit të UP-së; Safet Merovci, anëtar i Këshillit Drejtues të UP, e të tjerë.

Në raportin e komisionit të studimeve të Rektoratit një kopje të së cilës ka siguruar gazeta, përgjigja që jepet për shumicën e këtyre kandidatëve është se nuk kanë punime të mjaftueshme për tu avancuar dhe propozohene të qëndrojnë në thirrjen e mëparshme.

Në rend dite do të jetë edhe kërkesa e studentëve për afate shtesë për provime, ndërmjet afateve të rregullta./Zeri/