‘Zbutet’ SBASHK-u, tani vendosin kusht për zëvendësimin e orëve të humbura

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se ka një mundësi që ata të pranojnë zëvendësimin e orëve të humbura mësimore.

Lajme

02/04/2019 12:48

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka dalë me një qëndrim në lidhje me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës në fillim të vitit, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për medie, SBASHK-u ka bërë të ditur se, nëse  MASHT- dhe deputetët marrin vendim që të ndryshojnë koeficientin e mësimdhënësve klasor, dhe ta barazojnë atë me mësimdhënësit lëndor, atëherë kjo sindikatë do apeloj tek të gjithë mësimdhënësit që ti mbajnë orët e humbura.

Nëpërmjet një njoftimi për media, SBASHK ka thënë se ky vendim është diskutuar në takimin e fundit që ka pasur Sindikata.

Njoftimi i plotë i SBASHK-ut pa ndërhyrje:

Nëse MASHT dhe deputetët në një seancë të parlamentit ndryshojnë koeficientet për mësimdhënësit e ciklit klasor dhe e barazojnë me ato të mësimdhënësve të ciklit lëndor, atëherë për hir të kolegëve të ciklit klasor do të apelojmë te mësimdhënësit e Kosovës që të zëvendësojnë mësimin për një javë në fund të vitit mësimor

Të nderuar mësimdhënës të Republikës së Kosovës me qëllim që të jeni të informuar rreth situatës aktuale në Arsimin Parauniversitar të krijuar kohëve të fundit, sot Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjollca Shala, Bardh Bardhi, kryetar i sindikatave të Universiteteve, Rexhep Sadiku, kryetar i Kuvendit të Arsimit të Mesëm të Lartë të Kosovës dhe Blerim Mehmeti, kryetar i Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët të Kosovës, me iniciativën e zëvendësministrit Arbër Geci është takuar me Ministrin Bytyqi dhe zëvendësministrin Geci.

Në këtë takim u diskutua rreth situatës aktuale të krijuar në arsimin parauniversitarë të Kosovës. Kryetari i SBASHK-ut paraqiti qëndrimin e Këshillit Drejtues të SBAShK-ut, të cilët janë të vendosur ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës pasi janë të mendimit që verdikti përfundimtar do të jetë në favor të tyre.Kryetari i SBAShK-ut në këtë takim paraqiti edhe një mundësi para Ministrit Bytyqi që kjo gjendje të zhbllokohet  nëse Ministri Bytyqi bashkërisht me deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate dhe deputetët e partive tjera të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të përmirësimit të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor 1 deri 5 në Ligjin e pagave dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët 6 deri 9 pasi Ligji i pagave është në fuqi dhe ka dalë në Gazetën zyrtare, ndërsa zbatimi i tij fillon në fund vit dhe në këtë rast SBAShK do të merr për obligim të bisedoj me mësimdhënësit që në fund vitin shkollor 2018/2019 të zëvendësojnë një javë në shenjë të vullnetit të mirë për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5.

Gjithashtu pas këtij takimi Kryesia e SBAShK-ut në një takim të jashtëzakonshëm shqyrtoj ftesën e bërë nga Komisioni Parlamentar për Arsim që një ftesë të tillë Komisioni Parlamentar për Arsim ja ka bërë edhe MASHT-it dhe vendosi që në emër të SBAShK-ut të merr pjesë nënkryetarja e SBAShK-ut Vjollca Shala dhe Kryetari i Arsimit Fillor Blerim Mehmeti, të cilët do të paraqesin qëndrimin e anëtarësisë së SBAShK-ut ashtu siç e paraqitën edhe para Ministrit Bytyqi. /Lajmi.net/