Zbulohet se kush e shpëtoi qytetin Kobane nga rënia në duar të xhihadistëve

Para dy javësh mediet botërore kishin të përgatitura për botim tekstet për rënien e qytetit Kobane në kufirin turko-sirian, pasi ishte njoftuar se xhihadistët e IS kishin okupuar një të tretën e qytetit me 400,000 banorë. I mprihnin lapsat për të sulme verbale kundër Turqisë dhe politikës së saj, por edhe SHBA-ve e aleatëve të saj, kurse pastaj ndodhi – shoku pozitiv.

Bota

28/10/2014 17:17

Kobane jo vetëm që nuk ra, por në disa ditë të ardhshme pjesëtarët e IS u dëbuan nga të gjitha lagjet që i mbanin nën  kontroll. Shumëkush pyetej si ndodhi kjo kthesë, derisa këtë vikend nuk u zgjidh ky mister, transmeton lajmi.net.

Në momentin vendimtar, kur qyteti ishte vërtetë para rënies së plotë, në luftime u inkuadruan pjesëtarët e njësive speciale britanike, të njohur me akronimin SAS (Special Air Service), më saktësisht parashutistët e këtyre njësiteve.

Dihej që forcat e SAS bashkë me njësitë speciale amerikane ishin të vendosura dikur si këshilltarë të kurdëve në Irak, por tashti u zbulua se ato kanë marrë pjesë aktive edhe në betejën vendimtare për shpëtimin e qytetit Kobane, bashkë me pjesëtarët e njësisë amerikane Delta Force.

Detyrë kryesore e britanikëve ishte të shënohen caqet në mënyrë që sulmet ajrore të forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, të jenë sa më precize dhe të shkaktojnë sa më shumë viktima në mesin e xhihadistëve. Sipas burimeve ushtarake, ata këtë punë e bënë në mënyrën më të mirë. Kështu, për shembull ia dolën të shënojnë një cak ku grumbulloheshin xhihadistët, të cilët pastaj u goditën direkt me një seri të rëndë bombash, duke i shkaktuar IS-it humbje të mëdha.

Pos kësaj, ata i udhëzuan aeroplanët luftarakë të bombardojnë konvojet me tanke, autoblinda dhe kamionë me municione. Burimet ushtarake konfirmojnë se pilotët amerikanë ishin jashtëzakonisht të kënaqur me punën e bërë në terren nga ana e pjesëtarëve të SAS, andaj edhe sulmet ishin pothuajse 100 për qind të sakta. Pikërisht detektimi preciz i caqeve kryesore e nxiti koalicionin për sulme ajrore dhe kësisoj Kobane u shpëtua.

Komandot britanike tërë kohën kanë punuar në fshehtësi. IS nuk e dinte që ata ishin vendosur pothuajse në linjën e betejës, kurse nganjëherë edhe prapa shpinës së tyre. Mbijetonin me atë pak ushqim që kishin marrë me vete kur ishin lëshuar me parashuta, ndërsa që edhe ujin e shfrytëzonin në mënyrë shumë racionale.

Përveç kësaj, kanë vepruar edhe duke luftuar përkrah mbrojtësve të qytetit për të penguar përparimin e xhihadistëve nga krahët në disa raste – roli kryesor i tyre ishte organizimi, por për arsye të ndjeshmërisë së situatës ata janë inkuadruar edhe në luftime.

Situata në Kobane tashti është qenësisht më e mirë, megjithëse ende ka sulme të IS. Ky qytet u bë simbol, pasi për herë të parë IS nuk ia doli që me të parën ta pushtojë atë, kurse sipas raporteve të Vëzhguesit sirianë, aty u vranë 481 pjesëtarë të IS, por edhe teknikë të konsiderueshme luftarake.

Mbrojtësit e qytetit presin që shumë shpejt atyre t’iu bashkohen edhe rreth 150 peshmegerë kurd nga Iraku, të cilët kanë mbërritur me armatim të rëndë. (Lajmi.net)