Zbulohet problemi i Lewandowskit në Bayern Munich

Robert Lewandowski nuk është i lumtur në Bayern Munich.

Sport

26/07/2018 09:17

Robert Lewandowski duket se është gjithnjë e më i vendosur për t’u larguar nga Bayern Munchen.

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, sulmuesi polak duket se nuk e ndjen më mbështetjen e drejtuesve të klubit bavarezë dhe ka vendosur që të diskutojë me ta në lidhje me këtë çështje. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Lewandowski ndjen gjithashtu se është kthyer në një lloj simboli të dështimit te Bayern Munchen në tentativat e këtij klubi në fitoren e Ligës së Kampioneve në 4 sezonet e fundit.

Nga ana e tij, Bayern Munchen në disa raste ka deklaruar se Lewandowski është i patransferueshëm, por e gjithë kjo ndodh sepse Bayern nuk e sheh veten si një ekip që shet lojtarë dhe jo për vlerën që ka Lewandowski në klub. Për më tepër, drejtuesit e Bayern nuk i dolën në mbrojtje sulmuesit polak, kur ky i fundit u kritikua ashpër nga disa ish-futbollistë dhe ekspertë për sjelljen e tij në fushën e lojës në ndeshjet kyçe.

Robert Lewandowski ka me Bayern një kontratë deri në vitin 2021, por prej muajsh ai është vënë në qendër të zërave të merkatos. Së fundmi, ai ndërroi edhe agjentin e tij për të nisur kërkimet për një skuadër të re për të vijuar karrierën, por ka hasur në rezistencën e kampionëve të Gjermanisë që nuk kanë ndërmend ta lejojnë të largohet, pavarësisht gjithçkaje.