Zbulohet laboratori i kriptomonedhave në Krujë

Një laborator bitcoin në Krujë është zbuluar gjatë aksionit të OSHEE-së në zonën e Krujës, pasditen e djeshme.

Lajme

22/10/2021 11:40

Laboratori bëhet i ditur nga burime lokale policore se u zbulua në një banesë të marrë me qira, ku ndodhej dhe pajisja kompjuterike e teknologjisë së lartë që përdoret për dizenjimin e parave digjitale, hedhja në tregun virtual të të cilave konsiderohet e paligjshme në vendin tonë.

Objekti ishte në listën e abonentëve të dyshimtë të OSHEE-së për vjedhje të energjisë elektrike dhe vetëm pas dyshimeve dhe bashkëpunimit me policinë u arrit të konstatohet pajisja kompjuterike që përdorej për krijimin e kriptomonedhave.

Nuk ka ende detaje se cili lloj i kriptovalutës përdorej në këtë laborator dhe nëse kishte nisur të hidhej në tregun virtual për të kryer transaksione me të dhe nëse ka persona të mashtruar përmes kësaj forme pagese, që konsiderohet mjaft problematike.

Pajisja e gjendur brenda objektit është sekuestruar, ndërsa nën akuzë është vënë personi që ka në përdorim objektin përmes marrjes me qira.