Zbulohen mesazhet e fundit të Sala në WhatsApp, nuk e deshi kalimin te Cardiff

Argjentinasi i shumëdashur ka ndërruar jetë, mirëpo rrethanat e vdekjes së tij tragjike vazhdojnë të mbeten të diskutueshme.

Sport

23/05/2019 09:43

Një mesazh i regjistruar në WhatsApp nga Emiliano Sala është publikuar dhe aty kuptohet se sulmuesi i cili vdiq në mënyrë tragjike nuk kishte qenë i interesuar për transferimin në Cardiff. Ai pretendoi se pronari i Nantesit, Waldemar Kita, ishte i interesuar vetëm për para.

Shumë gjëra janë shkruar për vdekjen e argjentinasit, që i mbizotëroi ballinat e mediave muajin e kaluar pasi aeroplani që po e dërgonte atë nga Franca në Uells u rrëzua mbi Kanalin Anglez, duke e lënë të vdekur futbollistit dhe pilotin David Ibbotson.

Përderisa hetimet për shkaqet e rrëzimit të aeroplanit janë duke vazhduar ende, revista franceze L’Equipe e gjeti në mesazh të incizuar, që Sala ia kishte dërguar një të afërmi të tij para se të nisej aeroplani. Në të, Sala e shfaq pakënaqësinë e tij me pronarin e Nantesit dhe me transferimin në Cardiff.

Vetëm dy ditë para se të vdiste, Sala ishte zyrtarizuar si lojtar i Cardiffit, pasi që klubi anglez e kishte thyer rekordin e klubit për shumën më të lartë të paguar për ndonjë lojtar për ta ta transferuar Salan nga Nantesi.

“Mbrëmë ia dërgova një mesazh Meissa [N’Diayes, agjenti i Salas]. Ai më telefonoi disa orë më vonë. Ne patëm diskutime dhe ai më tha mbrëmë se Franck Kita [djali i pronarit të Nantesit] ia kishte dërguar atij një mesazh për të folur, kështu që ai e kishte telefonuar”, fillon mesazhi i Salas, transmeton Express.

“Ata folën dhe… ata donin të më shesin. Ka ofertë nga Cardiffi. Në anën e tyre, Nantesi ka negociuar për të fituar shumë para. Kështu që ata duan patjetër që unë të shkoj në Cardiff. Është e vërtetë që është kontratë e mirë, por nga perspektiva e futbollit, nuk është interesant për mua”.

“Kështu që, ja. Ata po tentojnë të më detyrojnë të shkoj atje. Unë nuk jam i frikësuar të shkoj atje sepse kam luftuar gjatë gjithë karrierës sime. Të shkoj atje dhe të luftoj, kjo nuk më frikëson. Në të kundërtën”.

“Por, unë po mendoj gjithashtu se Meissa duhet të më gjejë mua diçka më të mirë para se të mbyllet afati kalimtar. Meissa i ka thënë jo Cardiffit sepse ai nuk do që unë të shkoj atje”.

“Ai mendoj se, sa i përket futbollit, sa i përket vendit ku luaj tani… jemi në një pozitë të mirë çdo ditë. Sa i përket lojës në fushë, kontratës dhe të gjitha këtyre. Por, mua s’më interesojnë këto gjëra. Mua s’më intereson të jem në pozitë të mirë”.

“Është e vërtetë se mua do të më pëlqente të gjeja diçka interesante sa i përket kontratës dhe lojës në fushë, por nganjëherë s’mund t’i kesh të dyja. Në anën tjetër, nuk dua të flas me Kitan sepse vetëm zemërohem”.

“Ai ma shpif kur jam ballë përballë me të. Dhe sot, ai dëshiron të më shesë në Cardiff sepse ka negociuar për shumë para. Ai i do paratë, apo jo? Ai do që unë të shkoj atje, por as që më ka pyetur se çfarë dua unë. Atij i intereson vetëm për para”.

“Kështu janë gjërat tani – një rrëmujë e vërtetë. Nuk e di se çfarë të bëj sepse siç të thash, jam unë ai që duhet të zgjohem çdo mëngjes dhe ta shoh fytyrën time”.

“Askush nuk po më shikon mua për brenda se çfarë po kaloj. Është shumë e vështirë sepse mendoj se jo shumë njerëz e vendosin veten në vendin tim”. /Lajmi.net/