Zbulohen gjurmët e një kishe romake afër Ferizajt

Në trasenë e rrugës magjistrale Prishtinë -Hani i Elezit, në afërsi të fshatit Rahovicë të Ferizajt, janë gjetur dy lokalitete të rëndësishme arkeologjike që besohet se datojnë nga periudha e vonshme romake.

Lajme

20/10/2015 15:52

Arkeologë nga Instituti për Trashëgimi Kulturore kanë thënë se bëhet fjalë për një Kishë të vogël dhe një banesë që sipas artefakteve të gjetura thuhet që të jenë të shekullit XV.

Mësohet se në terren është duke u bërë faza e fundit e gërmimeve dhe për pak kohë do të merret një vendim për ndryshimin e trasesë apo mbulimin e këtyre lokaliteteve të vjetra, ndërkohë që në këtë pjesë janë ndërprerë punimet nga Kompania Bectel-Enka deri në një vendim nga organet përgjegjëse.

“Janë zbuluar gjurmët e një kishe mesjetare me dimensione 16 X 6 metra, është dydhomëshe, në përbërjen e saj e ka edhe apsiden edhe pse është shumë e shkatërruar, kështu që për ne, normalisht nuk është ndonjë gjë e ndërlikuar për me njoftë, a është kishë a është objekt. Puna jonë është që të bëhet gërmimi i saj që të dihet saktë se për çka bëhet fjalë, madje do të formohet një komision vlerësues se çka me tutje do të bëhet me këtë objekt”, ka thënë arkeologu Premtim Alaj nga Instituti për Trashëgimi Kulturore.

Institucionet komunale për trashëgiminë kulturore janë alarmuar nga mundësia e zhdukjes së këtyre lokaliteteve. Thonë se do të bëjnë përpjekje që t’i ruajnë këto objekte me vlera historike.

Nexhat Shanini, zyrtar i njësisë për trashëgimi kulturore, ka thënë se do të përpiqen maksimalisht që këto gjetje me vlera të rralla historike për komunën e Ferizajt të ruhen dhe të mos mbulohen.

Ndryshe, punonjësit e Muzeut të Ferizajt, janë kujdesur që të marrin të paktën disa artefakte nga këto lokalitete për të forcuar dëshmitë e hershme të jetës këtu, ndërsa zhdukjen e kanë konsideruar si të dëmshme.

Zyrtari i Muzeut të Ferizajt, Ilir Bytyqi,ka thënë se pas informacioneve që ka marrë nga arkeologët për mbulimin e këtij lokaliteti, ka ardhur këtu q ë të marrë dëshmi për ta dokumentuar se bëhet fjalë për një periudhë të vonë romake.

“Këto qeramika, këto tjegulla i mora si një element për ta dëshmuar që ka pasur vendbanime në trasenë e re që po ndërtohet. Kjo tregon edhe një dimension tjetër se treva e jonë është shumë e pasur me vlera arkeologjike “, ka thënë Bytyqi.

Në komunën e Ferizaj ka shumë vende që i përkasin trashëgimisë kulturore, mirëpo mirëmbajtja e tyre lë shumë për t’u dëshiruar, mu nga fakti se kjo komunë nuk ka arkeolog./K.P.