Zbulohen eshtra në Pejë, dyshohet se janë të ballistëve të pushkatuar pas Luftës së II-të Botërore
Në kodrinën Tabje të Pejës punimet me ekskavator nga një ndërtues ilegal kanë nxjerrë në sipërfaqe eshtrat e njerëzve të pushkatuar dhe aty të varrosur nga forcat partizane e çetnike menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Lajme
Meqenëse aty dyshohet se janë të varrosur trupat e 3.600 të shqiptarëve të vrarëve nga Peja dhe trojet tjera shqiptare, dhe shumica prej tyre kanë qenë ballistë, për këto gërmime me buldozer ishte njoftuar së pari nga disa qytetarë përfaqësuesi i Ballit Kombëtar në Pejë, Afrim Shabi.
“Para tri-katër ditë më kanë thirr dhe më kanë tregu se dikush ka nis me rrafshu në atë kodër me buldozer, por si duket pasi kanë nis të shfaqen eshtrat në sipërfaqe ata kanë ik. Në atë pjesë dhe pjesë në vazhdim të kodrinës së Tabjes janë të varrosur shqiptarët e pushkatuar pas luftës së dytë botërore dhe krejt gati kanë qenë ballistë nga mbarë trojet shqiptare”, tha Shabi për Gazetën Elajm.
Pasi ka marr këtë informatë Shabi thotë se ka njoftuar policisë dhe komunë dhe pastaj edhe vet ka shkuar në vendin e ngjarjes, i ka mbledh dhe i ka marr me veti disa eshtra që kishin mbetur të shkapërderdhura nëpër punishte nga buldozeri.
“Dyshojmë se gjatë rrafshimit që kanë bërë me dhe dheun që e kanë heq nga aty kanë bartë edhe shumë eshtra me veti dhe i kanë derdh diku”, tha Shabi.
Policia e Pejës e ka konfirmuar për Gazetën Elajm se një qytetarë e ka informuar policinë, e cila tashmë ka formuar një ekip hetues.
“Me këtë rast tash merret Njësiti në nivel qendrorë për persona të zhdukur, i cili do të hetojë edhe prej cilës periudhë janë ato eshtra aty”, tha zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibra.
Se kush ka nisur aty të përgatitë terrenin për ndërtim ende nuk dihet, por vendin ku janë kryera ato punime të vrazhda me buldozer dhe kanë dalë eshtrat në sipërfaqe, është rrethuar me shirita të verdhë dhe po ruhet vazhdimisht nga policia.
Drejtori i Urbanizmit Sali Lajçi, tha për Gazetën Elajm se drejtoria e tij nuk i ka dhënë askujt asnjë lloj leje ndërtimi për në atë pjesë në Tabje. (Elajm)