Zbatimi i marrëveshjes, pastaj Brukseli 2
Implementimi i marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, do të duhej të ishte kusht nga pala kosovare për vazhdimin e dialogut me palën serbe.

Lajme
Këtë e thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për ta është i pakuptimtë zhvillimi i çfarëdo formati të dialogut nëse praktikisht nuk ndihen efektet e marrëveshjes që është nënshkruar në Bruksel.
Profesori universitar, Emrush Ujkani, ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të duhej që domosdoshmërisht me qenë pjesë e dialogut dhe se nuk ka alternativë tjetër, por sipas tij paraprakisht do të duhej të bëhej vlerësimi i zbatimit të marrëveshjes paraprake.
“Ajo që mendoj se mund të bëhet tani për tani është vlerësimi i përgjithshëm dhe atë bashkë më Bashkimin Evropian për të vlerësuar se sa janë implementuar marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel para se të kalohej në negociata të mëtutjeshme”, ka thënë Ujkani, shkruan Tribuna.
“Natyrisht se nuk jemi kundër dialogut në asnjë moment, por unë mendoj se është shumë e nevojshme të krijohet një mekanizëm matës rreth asaj se si janë implementuar marrëveshjet deri me tani, ku kemi ngecur dhe sa i ka mbetur njërës ose tjetrës palë të veprojë tutje”, ka thënë Ujkani.