Zbardhet rruga e trafikut të kokainës: Me rroba fëmijësh nga Turqia në Elbasan

Fakte të reja po dalin në dritë lidhur me linjën e trafikut të kokainës, pas zbulimit nga policia të laboratorit të drogës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, raportojnë mediat në Shqipëri.

Lajme

16/01/2015 16:54

Së fundi janë bërë të ditura edhe itineraret që ndiqnin trafikanët për të futur në Shqipëri drogën dhe më pas për ta nxjerrë atë në Evropë. 

Si hynte kokaina në Shqipëri? 

Linja hyrëse e kokainës ishte Turqi-Bullgari-Maqedoni, për të mbërritur më pas në Shqipëri. Trafikantët kishin nënkontraktuar një kompani e cila merrte veshje për fëmijë nga Turqia. Në rrobat e fëmijëve ishte e tretur edhe sasia prej 100 kilogramësh e lëndës narkotike. Me pas këto veshje shpelaheshin në punishte ku kondensohej kokaina. Pas mbërritjes në qytetin e Strugës, ndiqeshin tre linja që droga të hynte në Shqipëri, konkretisht në laboratorin e fshatit Xibrakë të Elbasanit. Në këtë laborator kryehej përpunimi dhe paketimi i saj.

Si dilte kokaina nga Shqipëria për në Evropë? 

Lapsi.al mëson se pas përpunimit në Elbasan, trafikantët e dërgonin drogën në një kompani që merrej me nxjerrjen dhe eksportin e mineraleve. Më pas, bashkë me minieralin, niste transporti drejt Portit të Durrësit. Aty kontrolli ishte jo i imtësishëm, për shkak edhe të llojit të mallit që eksportohej (mineralit). Përgjithësisht kontrollet ndaj mineralve janë të përcipta. Prej Portit të Durrësit kokaina merrte rrugën drejt Evropës në destinacionin përfundimtar. 

Linja e trafikut të drogës nga Turqia, përmes importit të veshjeve, ka qenë shqetësuese edhe vite më parë për policitë partnere të Shqipërisë. Në shumë raporte të policisë italiane evidentohej kjo mënyrë e trafikimit të lëndës narkotike. 

Rol kyç në operacionin e policisë në Elbasan, kanë autoritet gjermane të cilat i kishin dërguar në muajin tetor 2014 një letërporosi autoriteteve shqiptare për të mbajtur nën hetim shtetasin Ilir Hyseni. Letër porosia ka ardhur nga Gjykata e Mynihut, ndërsa është kërkuar që Shqipëria të lejojë hyrjen e tre ngarkesave me drogë, derisa te zbulohet i gjithe grupi dhe baza ku ajo përpunohej, raporton portali lapsi.