Zaev: Referendumi ishte i suksesshëm, nuk do të jap dorëheqje

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në konferencën për shtyp sonte në Shkup, duke komentuar rezultatet e referendumit të sotëm në Maqedoni, tha se nëse nuk arrihet marrëveshje në Parlamentin e Maqedonisë mes deputetëve për të kaluar ndryshimet e Kushtetutës, do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lajme

30/09/2018 23:50

Zaev deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, por se vota pro e qytetarëve e obligon atë që procesin ta kalojë në procedurë parlamentare.

“Ka kohë të mjaftueshme për tu organizuar zgjedhjet, por kjo do të bëhet vetëm nëse është e patjetërsueshme. Nëse nuk ka 1/3 të Parlamentit që do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, patjetër të shkohet në zgjedhje. Dhjetë ditë do të mundohem t’i bindi”, tha ai.

Megjithatë, ai shpreson se Parlamenti do ta respektojë vendimin e votuesve në referendum që sipas tij është i suksesshëm sepse mbi 90% e votuesve kanë votuar PËR marrëveshjen.

“Qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre treguan se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO. Më në fund çdo qytetari sjelli vendimin e vet. Kjo është vlera e demokracisë. Ata që votuan pro dhe kundër ishin ata që morën përgjegjësi. Më në fund vendosën votat e atyre që votuan.”, tha Zaev.

Ai falënderoi edhe një pjesë të funksionarëve të VMRO-së që kanë dalë në votime.

“Në referendumin kanë votuar më shumë se 650 mijë qytetarë, më shumë se 90 për qind votuan PËR dhe thanë se Maqedonia duhet ta pranoj marrëveshjen dhe të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së”, shtoi Zaev, raporton Shenja.

Maqedonia evropiane tha Zaev, ka marrë më tepër vota nga çdo fitues në zgjedhje parlamentare në Maqedoni.

“Populli bëri përzgjedhje të rëndësishme. Tani, kur kemi shumicë të përcaktuar për Maqedoni evropiane, është koha deputetët ta ndjekin zërin e shumicë, me qëllim të përshpejtojmë proceset për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO. Vota për është thirrje për të gjithë partitë politike t’i bashkëngjiten projektit. Të bashkohemi gjithë deputetët dhe të dërgojmë vendin aty ku e ka vendin në BE dhe NATO”, tha më tej Zaev.

Zaev tha se marrëveshje më të mirë me Greqinë nuk ka dhe nuk munde të ketë.

“Të mos luajmë lojëra me të ardhmen tonë dhe të Maqedonisë. Çështjet nacionale janë mbi të gjitha çështjet tjera.”, deklaroi Zaev.