Ymeri: Qeveria po i jep komunave serbe kompetenca për Trepçën

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se në projektligjin për Trepçën është futur edhe kushtëzimi që për të të vendoset në bashkëpunim me komunat me shumicë serbe. 

Lajme

23/01/2015 10:53

Pos, kësaj, Ymeri në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ka përmendur edhe se në këtë projektligj nuk thuhet se kur Trepça do të jetë ndërmarrje publike.

“Kur flitet për të drejtën e Qeverisë që ndërmarrjeve të caktuara ose pjesë të tyre t’i kthejë në ndërmarrje publike, aty është futur edhe kushtëzimi që i jepet e drejta komunave, që ta kushtëzojnë këtë nacionalizim, apo shndërrim të ndërmarrjeve publike. Ky është dëmi i parë, dhe hapi i parë përmes së cilit po themelohet pushteti ekzekutiv i Asociacionit me shumicë serbe”.

“Çështja e dytë, thuhet se Trepça do të rregullohet me një ligj dhe strategji të veçantë, por askund nuk thuhet se Trepça do të jetë ndërmarrje publike në këtë strategji. Dhe as kurrë nuk thuhet se kur do të hyjë në fuqi ky ligj dhe strategji në Kuvendin e Kosovës”, tha të premten Ymeri.

Sipas tij, kjo tregon shumë qartë qëllimin e Qeverisë për Trepçën ku duan që në njërën anë të gjitha ndërmarrjet shoqërore që i kërkon Serbia t’ua japin të drejtën e vendosjes komunave me shumicë serbe në territorin e Kosovës.

“Ndërkohë që në anën tjetër, sa i përket Trepçës, si ndërmarrje e veçantë, përfundimin për të ta dakordojnë me Qeverinë e Beogradit”, shtoi Ymeri.