Ymeri e quan kryeministrin Mustafa hipokrit dhe gënjeshtar
Deputeti i VV-së, Visar Ymeri ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për sa i përket Ligjit për Trepçën.
Lajme
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Ymeri e ka quajtur kryeministrin Mustafa gënjeshtar dhe hipokrit.
Shkrimi i plotë i Visar Ymerit:
Isa Mustafa sot u ishte drejtuar xehetarëve dhe qytetarëve të Kosovës. Xehetarëve që asnjëherë nuk denjoi t’i vizitojë në grevë, e qytetarëve prej të cilëve iku dje.
Sikur në shumë raste tjera edhe në këtë adresim tijin vërehet qartë hipokrizia e tij, dhe tendenca patologjike për të gënjyer. Ai thotë se ne e paskemi votuar kundër Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara… dhe se kështu paskemi dashur që Trepçën ta dërgojmë në likuidim. Këtë Ligj në vitin 2011 e ka kundërshtuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje! LDK-ja në atë kohë edhe pse në opozitë e patën votuar me disa përjashtime të disa deputetëve individual. Që atëherë ne patëm thënë se ky ligj e rrezikon Trepçën me likuidim, dhe se vendimmarrjen për të ia lë në dorë pretendentëve kreditorë. Ishte e qartë: Ligji ishte kopje e Rregullores së UNMIK-ut.
Isa Mustafa dhe qeveria e tij iu nënshtruan kërkesave të Serbisë për Trepçën. Të hënën ai u tërhoq nga miratimi i plotësim ndryshimit të Ligjit për ndërmarrjet publike për ta transformuar, dhe kështu shpëtuar, Trepçën në ndërmarrje publike. Të njëjtën ditë e miratoi në Qeverinë që ai e udhëheq të njëjtin ligj me ndryshime drastike të cilat i fuqizonin komunat, dhe e s’postonin çështjen e Trepçës në negociata me Serbinë. Më vonë doli që edhe këtu Isa Mustafa falsifikoi dokumentin zyrtar pasi që e miratoi një version tjetër në Qeveri dhe e nënshkroi një më të dëmshëm për ta sjellë në Kuvend.
Po çfarë të pritet prej njeriut që për 5 muaj rresht i mashtroi anëtarësinë e vet dhe qytetarët e vendit se kinse po përpiqej për ta çliruar Republikën e Kosovës nga kapja ShIK-iste, i cili në fund e tradhtoi edhe fjalën e edhe nënshkrimin e dhënë në marrëveshjen e 10 shtatorit. Ky natyrisht se falsifikon. Çfarë të pritet prej njeriut i cili i del haptazi në mbrojtje fashizmit të Serbisë brenda Qeverisë (Listës serbe) duke tentuar ta arsyetojë ligjërimin publik e mendimin politik të tyre? Ky natyrisht se dorëzohet. Çfarë të pritet prej njeriut që i ulet në prehër Kadri Veselit të ShIK-ut duke e amnistuar e shpërlarë atë? Ky natyrisht se nënshtrohet. Çfarë të pritet prej njerëzve uzurpator të kryeqytetit të vendit të cilët nën patronazhin e ‘akademikut’ janë kapur fortë nga krimi në Prishtinë dhe po tentojnë ta mirëmbajnë atë edhe në kundërshtim me vendimet institucionale të qeverisjes lokale e të gjykatave? Këta natyrisht që kapen, dhe e kapin shtetin.
Isa Mustafa u kishte thënë sot qytetarëve që mos të frikësohen nga Serbia por nga ne, Lëvizja Vetëvendosje. Njësoj sikur Thaçi ky Serbinë po e sheh si mike e Lëvizjen Vetëvendosje armike të Kosovës. Kjo u dëshmua në shpejtësinë me të cilën arriti marrëveshje me Listën Serbe. 3 muaj iu deshën Mustafës ta nënshkruajë marrëveshjen me Vetëvendosjen e cila kishte për qëllim ta ndërronte kursin e shtetit për ta nxjerrë atë nga negociatat e kompromiset e vazhdueshme me Serbinë, dhe 3 orë iu deshën ta pranojë marrëveshjen me Listën Serbe përmes së cilës Serbia fiton peshë të jashtëzakonshme vendimmarrjeje në institucionet qendrore të Kosovës.