Ymeri: Deklarata e Thaçit tregon planin për të shtypur protestën paqësore
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar pas deklaratës së zv.kryeministrit Hashim Thaçi, i cili, duke folur për protestë e paralajmëruar nga opozita, ka thënë se realizmi i të drejtave politike mund të bëhet përmes procesit të rregullt demokratik zgjedhor, e jo përmes shantazheve, kërcënimeve apo përpjekjeve të dhunshme për marrjen e pushtetit.

Lajme
Në reagimin e Ymerit të bërë publik në faqen e VV-së në Facebook, deklaratën Thaçit e ka cilësuar si dëshmi të planit të qeverisë për të shtypur protestën paqësore.
Ai duke rikujtuar kërkesat e protestës së opozitës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të distancohet nga deklarata e Thaçit.
“Me deklaratën e tij kërcënuese, zv.kryeministri Thaçi, e tregoi planin e Qeverisë për të shtypur protestat paqësore. Paralajmërimi i vetëm për protesta të dhunshme, po vjen nga Qeveria. Kjo pra flet për planet e qeverisë dhe aspak për planet e subjekteve opozitare.
Siç e kemi thënë deri tash, protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe po organizohet për realizimin e këtyre kërkesave:
– Të shfuqizohen vendimet e ZRrEE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike,
– Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë,
– Të shkarkohet Hajredin Kuçi,
– Të dorëhiqet Enver Hasani,
– Të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së dhe
– Të ndalet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të distancohet nga deklaratat e tilla të zv.kryeministrit Thaçi, që kanë për qëllim shtypjen me dhunë të protestave paqësore.
Në vend që Qeveria e Kosovës t’i kërcënojë qytetarët me dhunë, ajo duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’iu garantojë siguri gjatë protestave.”, thuhet në reagimin e Ymerit.