Ylli i Romës në dyshim për derbin ndaj Inter

20:30 | 18 Prill 2019

Fundjava në Serie A do të vije me super derbin që do të luhet mes skuadrave të Romës dhe Inter.

Në një garë të ashpër për një vend në top katërshe, skuadra e Romës do të kërkojë të marrë pikë nga dueli me ‘zi kaltrit’.

Skuadra e Claudio Ranieri ka shënuar dy fitore radhazi në kampionatin italian, dhe është në synim që ta regjistrojë edhe fitoren e tretë.

Ndeshja ndaj Inter nuk do të jetë aspak e lehtë, dhe për fatin e keq, në dyshim për paraqitje është edhe ylli i skuadrës, Stephan El Shaarawy, transmeton lajmi.net.

Raportimet e medieve italiane bëjnë të ditur se lojtari ka pësuar një dëmtim muskulor, por ka kohë që të rikthehet për udhëtimin drejt Milanos.

Sulmuesi është stërvitur larg grupit si pasojë e dëmtimit muskulor, i cili do të monitorohet gjatë këtyre 24 orëve.

Zërat brenda klubit janë optimist dhe besojnë se lojtari do të kthehet në kohë për derbin kundër skuadrës së Inter.

Ndeshja mes Romës dhe Inter do të luhet të shtunën (nesër) me fillim nga ora 20:30. /Lajmi.net/