Yjet e Premierligës nisin fuqishëm fushatën kundër racizmit

Futbollistët në Angli dhe Uells sot (e premte) kanë nisur kampanjën për të bojkotuar rrjetet sociale në shenjë proteste kundër racizmit në futboll.

Sport

19/04/2019 11:42

Dukuria e racizmit vazhdon të shfaqet në fushat e futbollit, gjë e cila duket se më në fund po mobilizon gjithë këtë komunitet.

Një viktimë e thirrjeve abuzuese ka qenë së fundi Raheem Sterling, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 mes Malit të Zi dhe Anglisë në Podgoricë.

Fushata #Enough (“Mjaft më”) u organizua nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA), që i inkurajoi lojtarët të mos e përdorin asnjë llogari në rrjete sociale nga ora 10:00 e 19 prillit deri në orën 10:00 të 20 prillit.

Kësaj fushate i janë bashkuar një numër i madh futbollistësh në Premierligë, duke publikuar fotografi me përshkrimin #Enough./Lajmi.net/