Xhiro e 16-të e BKT Superligës vijon sot me tri ndeshje, vëmendja në Merdare

Xhiro e 16-të e BKT Superligës së Kosovës në Futboll do të vijojë sot me tri ballafaqime interesante.

Sport

28/11/2021 08:36

Ndeshja kryesore është ajo mes Llapit dhe Gjilanit që do të luhet në Merdare nga ora 13:30.

Skuadra llapjane është në një ecuri fantastike duke i fituar katër ndeshjet e fundit në Superligë me një goldallim 12-4, duke u pozicionuar në pozitën e katërt në tabelë me 24 pikë të mbledhura.

Gjilani në anën tjetër është lider i tabelës me 28 pikë të mbledhura dhe vie pas një fitoreje të madhe në derbin lokal ndaj Dritës.

Dueli tjetër që do të zhvillohet gjatë ditës së sotme është ai mes Feronikelit dhe Ballkanit.

Feronikeli është skuadra me formën më të dobët në superligë pasi ka humbur secilën nga shtatë ndeshjet e fundit në kampionat duke u ranguar e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të mbledhura.

Ballkani ndërkohë vie pas një fitoreje solide në shtëpi ndaj Malisheves dhe poziconohet e dyta në tabelë me 27 pikë të mbledhura, vetëm një më pak se Gjilani.

Kjo ndeshje fillon nga ora 13:00 dhe luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Dueli i tretë që do të zhvillohet përgjatë ditës së sotme është ai mes Malishevës dhe Drenicës.

Malisheva pozicionohet në pozitën e parafundit në tabelë me 15 pikë të mbledhura në po aq xhiro teksa vie pas humbjes ndaj Ballkanit në Suharekë, ndërkohë Drenica gjendet në një formë të dobët pasi ka pësuar katër disfata në katër ndeshjet e fundit në superligë dhe ndodhet në pozitën e gjashtë me 20 pikë të mbledhura.

Ndeshja fillon nga ora 13:00 dhe luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.

/Lajmi.net/