Xhiro e 15-të e BKT Superligës mbyllet me tri ndeshje, spikat derbi i madh në Gjilan

Xhiro e 15-të e BKT Superligës do të mbyllet me tri ndeshje.

Sport

25/11/2021 10:24

Tri përballjet që ishin parashikuar të zhvillohen gjatë ditës së mërkurë, vendosën që të shtyhen për të enjten pasi u shpall ditë zie nga Presidentja e vendit për rastin tragjik që ndodhi në Bullgari.

Ndeshja kryesore pritet padyshim të jetë ajo mes Gjilanit dhe Dritës, gjersa në dy duelet tjera, Ballkani e mirërpret Malishevën në Suharekë dhe Drenica i bën konak Llapit.

Derbi gjilanas i sheh dy skuadrat si lidere të Superligës me pikë të barabarta – nga 25, me SC Gjilanin që pozicionohen e para falë golaverazhit më të mirë.

Të dy skuadrat vijnë pas fitoreve në xhiron paraprake, Drita e cila regjistroi një fitore minimale në shtëpi ndaj Drenicës, gjersa Gjilani e arriti një fitore të vështirë ndaj Ulpianës.

Në duelin e parë, Gjilani kishte triumfuar me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, me golat e Gerhard Prognit e Shend Kelmendit.

Dueli tjetër interesant do të zhvillohet në Suharekë, mes Ballkanit dhe Malishevës.

Ballkani e cila vie pas një humbje shokuese 4-1 ndaj Llapit në udhëtim, do të kërkoj këndelljen ndaj Malisheves për të mbajtur hapin me skuadrat lidere, gjersa Malisheva ka fituar ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit me rezultat minimal në udhëtim, megjithatë kanë dëshpruar me formën e tyre pasi renditen në pozitën e parafundit në tabelë me 15 pikë të mbledhura.

Ndeshja tjetër zhvillohet mes Drenicës dhe Llapit në “Bajram Aliu”.

Të dy skuadrat gjenden në forma krejtësisht të kundërta, Llapi gjendet në formë të mirë pasi ka fituar secilën nga tre ndeshjet e fundit në Superligë, duke përfshirë atë të fundit ndaj Ballkanit, gjersa Drenica në formë katastrofale ka pësuar tri disfata në tri ndeshjet e fundit.

Llapi gjendet në pozitën e katërt me 21 pikë të mbledhura, gjersa Drenica pozicionohet në pozitën e gjashtë me 20 pikë të mbledhura.

Të gjitha këto tri duele do të zhvillohet me fillim nga ora 13:00.

/Lajmi.net/