Xhihadistët evropianë përbëjnë kërcënim për sigurinë e Amerikës

Presidenti amerikan, Barack Obama ka deklaruar se evropianët që përqafojnë xhihadin në Siri dhe Irak, përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky rrezik sipas tij vjen sepse këta militantë kanë shtetësi edhe të vendeve evropiane që nuk aplikojnë për vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bota

30/06/2014 14:50

Afro 800 qytetarë francezë kanë luftuar në luftën civile në Siri, ndërsa rreth 200 qytetarë të Belgjikës po ashtu ka bërë të njëjtën gjë. Po ashtu, statistikat e fundit tregojnë se rreth 400 qytetarë britanikë kanë marrë pjesë në luftën siriane.

Të gjithë këtë qytetarë që posedojnë pasaporta të Belgjikës, të Francës dhe të Britanisë – dhe të disa shteteve të tjera evropiane – nuk kanë nevojë për viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara, që do të thotë se ata janë kërcënim potencial për sigurinë e vendit.

“Kemi parë evropian të cilët shprehin simpatinë e tyre për militantët, për shkak se ata udhëtojnë për në Siri dhe tani mund të udhëtojnë në Irak, duke marrë pjesë në beteja atje. Pastaj ata kthehen”, ka thënë presidenti Obama, gjatë një intervistë në rrjetin televiziv amerikan ABC.

Obama ka thënë se evropianët që mbështesin xhihadin dhe nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Amerikë paraqesin rrezik serioz për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, andaj sipas tij forcat speciale do të kenë një rol të veçantë në parandalimin e akteve terroriste.

“Do të ketë raste kur ne duhet të sulmojnë disa organizata të cilat mund të na dëmtojnë”, ka deklaruar presidenti Obama.