Xhihadistët ekzekutojnë 13 të rinj irakianë se shikuan futboll

Ekzekutimi është kryer publikisht, kurse arsyetimi është se ata të rinj kishin bërë tifo për kombëtaren e tyre (irakiane) në Kupën e Azisë. 

Bota

20/01/2015 16:25

Nuk kanë të ndalur masakrat e kryera nga grupi Shteti Islamik (IS). Trembëdhjetë të rinj janë vrarë publikisht në qytetin Mosul në Irak, me arsyetimin se kishin shikuar një lojë të kombëtares së tyre kundër Jordanisë, në kuadër të Kupës së Azisë. Vrasjet janë bërë më 12 janar, por lajmi është bërë i ditur vetëm sot.

Të rinjtë janë burgosur nga xhihadistët në Mosul, qytet i kontrolluar nga IS, bëjnë të ditur mediet ndërkombëtare, e pastaj janë pushkatuar sepse, duke e shikuar ndeshjen dhe duke bërë tifo, “e kanë shkelur sheriatin”.

Sipas gazetës britanike Daily Mail, që e përcjell lajmin nga një ueb faqe e aktivistëve anti IS të qytetit Raka në Siri, të rinjtë janë vënë në rreth e pastaj janë vrarë me breshëri. Trupat kanë mbetur për një kohë të gjatë në vend, pasi që familjarët e tyre nuk donin t’i merrnin nga frika se do ta pësonin edhe ata vetë nga terroristët.